Irani thotë se ka arritur marrëveshje me Omanin për një rrugë për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, ka raportuar të enjten () televizioni BBC . Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme mbi marrëveshjen, për të cilën ka thënë se ishte “në fazat përfundimtare”.
Megjithatë, Baqaei ka paralajmëruar se marrëveshja me Omanin nuk do të garantonte lundrim të sigurt përmes ngushticës, duke argumentuar se siguria mbetet e prekur nga bllokada amerikane e porteve të Iranit. SHBA-ja dhe Omani nuk kanë komentuar propozimin.
Qyshse SHBA-ja e Izraeli sulmuan Iranin në shkurt, Teherani ka bllokuar kryesisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar të martën se Irani “do të goditet shumë rëndë” nëse ngushtica nuk hapet “shumë shpejt”.
Komentet e tij erdhën pasi zyrtarë të lartë amerikanë thanë se bisedimet kishin përparuar për të lejuar që dërgesat të rifillojnë potencialisht më vonë këtë javë, megjithëse Irani ka pohuar se nuk po negocion me SHBA-në dhe nuk ka plane ta bëjë këtë. Rihapja e ngushticës ka qenë pikë kyçe në diskutimet ndërmjet dy vendeve dhe ndërmjetësve.
Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane ka thënë se “koordinatat gjeografike të rrugës” janë dakorduar me Omanin.
“Faktorët që e bëjnë Ngushticën e Hormuzit të pasigurt ende ekzistojnë nga ana e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht bllokada detare dhe veprime të tjera agresive dhe kërcënuese kundër Iranit dhe interesave të tij”, ka thënë ai, sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, Irna.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, më vonë i ka thënë Irnas se rruga e re do të jetë e përkohshme dhe se mund të qëndrojë e hapur nga dy deri në katër muaj. Ai nuk dha hollësi të mëtejshme. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
