Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash (Özkan Ulutaş). Zyra e Kryeministri (ZKM) ka njoftuar se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të vazhdueshme dhe koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s.
“Gjatë tij u diskutua për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit” – thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti, thuhet në njoftim, e vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm me KFOR-in dhe theksoi gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët. Po sipas njoftimit, kryeministri falënderoi komandantin Ulutash për kontributin dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e vendit.
