Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se do të fillojnë kontrolle të intensifikuara për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në tregun e Kosovës.
Sipas njoftimit të ministres së MINTI-t, Mimoza Kusari, vendimi vjen pas gjetjeve të përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me mundësinë e përdorimit të përbërësve të padeklaruar në etiketat e produkteve.
MINTI ka bërë të ditur se përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, si dhe paraqitja e pasaktë e përbërjes së produkteve, përbën shkelje ligjore dhe mashtrim ndaj konsumatorëve.
Kontrollet, të cilat nisin nga 6 gushti 2026, do të realizohen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me AUV-në, dhe do të përfshijnë të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit – nga prodhuesit dhe importuesit, deri te distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.
Gjatë inspektimeve do të verifikohet përputhshmëria e përbërjes reale të produkteve me deklarimet në etiketa, përdorimi dhe deklarimi i lëndëve të para, saktësia e emërtimit të produkteve, dokumentacioni përcjellës dhe gjurmueshmëria e tyre.
MINTI ka paralajmëruar se çdo produkt që pas analizave zyrtare rezulton se nuk përputhet me përmbajtjen e deklaruar do të tërhiqet menjëherë nga tregu, ndërsa ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të merren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe masa të tjera të parapara me ligj.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t, duke theksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg mbeten prioritete institucionale.
