Nathan Thomas nga Shtetet e Bashkuara është shpallur nga Guinness World Records si profesori mashkull më i ri në histori, pasi mori këtë titull në moshën 18 vjeç e 346 ditë. Thomas nisi të japë mësim në Miami Dade College në gusht të vitit 2023, ku ligjëroi një lëndë të inxhinierisë dhe programimit për studentë që në shumë raste ishin pothuajse në të njëjtën moshë me të.
Me këtë arritje, ai theu rekordin që mbahej prej më shumë se tre shekujsh nga matematikani skocez Colin Maclaurin, i cili ishte bërë profesor në moshën 19-vjeçare në vitin 1717, raporton upi. Rruga akademike e Thomas ishte e jashtëzakonshme që në fëmijëri.
Ai u regjistrua në kolegj në moshën 10-vjeçare, ndërsa në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar si studimet bachelor, ashtu edhe ato master në inxhinieri elektrike, me rezultate të shkëlqyera. Pavarësisht moshës së re, Thomas thotë se në klasë fokusohet te puna dhe te ndihma për studentët, duke theksuar se mosha nuk është faktori kryesor kur qëllimi është të mësosh.
Aktualisht, ai vazhdon të japë mësim online dhe njëkohësisht ndjek studimet për drejtësi në Universitetin e Majamit, me synimin që në të ardhmen të punojë në fushën e pronësisë intelektuale dhe teknologjisë.
