Arsenali po përgatitet të realizojë një nga transferimet më të rëndësishme të kësaj vere, duke afruar kapitenin e Newcastle, Bruno Guimarães. Trajneri Mikel Arteta e kishte bërë të qartë menjëherë pas fitimit të titullit në Premier League se skuadra kishte nevojë për përforcime të nivelit të lartë për të ruajtur dominimin dhe për të konkurruar njëkohësisht në të gjitha kompeticionet.
Pas sezonit historik, ku Arsenal fitoi kampionatin anglez për herë të parë pas 22 vitesh dhe arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve, drejtuesit e klubit kanë mbështetur plotësisht projektin e Artetës. Tekniku spanjoll synon ta çojë skuadrën në një nivel edhe më të lartë dhe beson se Guimarães është lojtari ideal për të transformuar mesfushën londineze.
Braziliani, 28 vjeç, ka dëshmuar cilësitë e tij gjatë viteve te Newcastle, ku u shndërrua në liderin e skuadrës dhe mbajti edhe shiritin e kapitenit. Përvoja në Premier League ishte një nga arsyet kryesore që Arteta insistoi për transferimin e tij, pasi trajneri preferon futbollistë që e njohin ritmin dhe kërkesat e kampionatit anglez, raporton BBC.
Arsenali u përball me shumë probleme dëmtimesh gjatë sezonit të kaluar, ndërsa ngarkesa e madhe e ndeshjeve ndikoi në formën e disa prej lojtarëve kryesorë. Martin Zubimendi dhe Declan Rice mbajtën peshën më të madhe në mesfushë, ndërsa rotacioni nuk funksionoi siç pritej.
Me ardhjen e Guimarães, Arteta synon të ketë më shumë alternativa cilësore dhe të ruajë intensitetin gjatë gjithë sezonit. Në repartin e mesfushës konkurrenca pritet të jetë shumë e fortë, pasi përveç Guimarães, Arsenal ka në dispozicion edhe Declan Rice, Martin Zubimendi, Martin Ødegaard, Eberechi Eze, Mikel Merino, Myles Leëis-Skelly dhe Ethan Nwaneri.
Klubi beson se kjo do ta bëjë mesfushën një nga më të fortat në futbollin europian. Përveç cilësive teknike, Guimarães vlerësohet edhe për karakterin e tij si lider.
Ai ishte figura kryesore e Newcastle si në fushë ashtu edhe jashtë saj, ndërsa aftësia për të motivuar shokët e skuadrës dhe për të krijuar lidhje me tifozët konsiderohet një tjetër vlerë e madhe, që ai do të sjellë në “Emirates Stadium”. Statistikat e brazilianit e mbështesin reputacionin e tij.
Që prej transferimit te Newcastle në vitin 2022, ai ka munguar në shumë pak ndeshje të Premier League, ndërsa skuadra ka regjistruar rezultate dukshëm më të mira kur ai ka qenë në fushë. Sezonin e kaluar ai ishte golashënuesi më i mirë i Newcastle në kampionat me nëntë gola dhe vazhdoi të spikaste edhe me Brazilin në Kupën e Botës.
Edhe pse nuk luajti disa javë për shkak të një dëmtimi në fund të sezonit, Guimarães mbeti ndër futbollistët më të mirë të Premier League për pasimet që thyejnë linjat mbrojtëse, topat në thellësi dhe pasimet nën presion të lartë.
Pikërisht këto karakteristika kanë bindur Artetën se braziliani mund të jetë elementi që do ta ndihmojë Arsenalin të luftojë me sukses për trofe në Angli dhe Europë gjatë sezonit të ri.
