Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në komunikimin e tij mujor me mediat, ka bërë të ditur se në muajin nëntor Shqipëria hedh hapin e fundit në integrimin e plotë në sistemin evropian të pagesave. Sipas guvernatorit Sejko, biznesi dhe qytetarët, me anë të pagesave të shpejta, fitojnë kohë dhe kursejnë të ardhura të konsiderueshme.
“Banka e Shqipërisë pas implementimit të sistemit SEPA po punon së bashku më Bankën Qendrore të Italisë dhe BQE për implementimin edhe të sistemit TIPS, që është një klon i atij Italian. Me këtë hap që përfundon në nëntor ne do të jemi plotësisht të integruar në sistemet europiane të pagesave, duke kursyer kohë dhe para.
Sikur vetëm gjysma e pagesave të kalojnë në systemin TIPS individët kursejnë gjysmë miliardi lekë kurse bizneset kursejnë 1 miliardë lekë në vit. Kjo shkon gjithashtu në një linjë me objektivin tonë për formalizimin e ekonomisë”, tha guvernatori Sejko.
Duke folur për zhvillimet e tremujorit të dytë të këtij viti në ekonominë dhe financat e vendit Guvernatori theksoi rritjen e inflacionit mbi objektivin e Bankës. Sejko përmendi po ashtu edhe shkaqet kryesore që kanë çuar në shtrenjtimin e çmimeve. “Rritja e çmimit të naftës dhe të nënprodukteve energjetike në tregjet e huaja pati efekte që janë zbutur pjesërisht nga forcimi i lekut.
Ndërkohë në zhvillimet e brendshme përveç çmimit të qirave, rritjet e tjera kanë qenë të pritshme. Politika monetare e BSH ka ndikuar që inflacioni të jetë shumë pranë objektivit të saj”, theksoi Sejko. Guvernatori bëri gjithashtu një panoramë të rritjes së ekonomisë dhe të treguesve të tjerë financiarë.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë e ka parë të arsyeshme që ende është herë për të ndërhyrë në normën bazë të interesit, dhe e ka lënë atë në nivelin aktual prej 2.5 për qind.
Fjala e plotë e Sejkos: Të nderuar përfaqësues të medias, Sot, në datën , Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Megjithëse ambienti i huaj mbetet sfidues, të dhënat e reja të marra në analizë sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë një trend pozitiv zhvillimi në tremujorin e dytë të vitit.
Vëllimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të rritet, me ritme të krahasueshme, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit të parë. Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje, si pasojë e efekteve direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet e huaja, si dhe e kërkesës së qëndrueshme për mallra e shërbime.
Megjithatë, niveli i inflacionit mbetet i kontrolluar dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Këto zhvillime ishin në linjë me pritjet tona. Ndër të tjera, ato pasqyrojnë edhe efektin e politikës monetare të kujdesshme të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Kjo politikë ka mundësuar kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, si dhe ka kontribuuar në gjenerimin e kushteve monetare të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Përditësimi i parashikimeve për të ardhmen sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive të rritjes ekonomike dhe pranë potencialit. Po ashtu, inflacioni parashikohet të qëndrojë pranë, por mbi objektiv, në periudhën afatshkurtër dhe të zbresë gradualisht drejt objektivit në periudhën afatmesme.
Në këto rrethana, goditja e ofertës nga tregjet ndërkombëtare pritet të ketë efekte kalimtare në ekonominë e vendit. Bazuar në këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.
Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 3.0% në tremujorin e dytë të vitit, duke ardhur në rritje nga vlera e tremujorit paraardhës.
Megjithatë, rritja e inflacionit në vend ka qenë e përmbajtur dhe ky tregues vijon të jetë në linjë me pritjet tona. Kjo ecuri u diktua si nga ecuria e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, në ngjashmëri me zhvillimet në ekonomitë partnere, ashtu dhe nga niveli i lartë dhe e i qëndrueshëm i kërkesës agregate në vend. Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë ishte në përputhje me pritjet tona.
Nga këndvështrimi i strukturës së shportës së konsumit, rritja e inflacionit gjatë këtij tremujori u ndikua nga rritja e çmimeve të transportit, të ushqimeve të papërpunuara dhe të disa artikujve të shërbimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve me çmime të rregulluara shënoi rënie, ndërsa inflacioni i çmimeve të qirave vijoi të qëndrojë në nivele relativisht të larta.
Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë kësaj periudhe është nxitur nga rritja e presioneve të brendshme e të huaja inflacioniste. Në veçanti, kërkesa e lartë për mallra e shërbime është pasqyruar në një pozicion ciklik pozitiv të ekonomisë shqiptare dhe në rritje të inflacionit bazë e atij të brendshëm gjatë tremujorit të dytë.
Po ashtu, rritja e çmimit të naftës dhe të produkteve energjetike në tregjet e huaja ka pasur efekte direkte dhe indirekte rritëse në inflacionin e importuar, efekte të cilat janë zbutur vetëm pjesërisht nga forcimi i kursit të këmbimit.
Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, inflacion, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme solide gjatë gjysmës së parë të vitit.
Paralelisht me të, borxhi publik dhe ai i huaj kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta.
Rritja ekonomike vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, pritjet për të ardhmen, të ardhurat nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme monetare e financiare.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.7% gjatë tremujorit të parë, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të bizneseve dhe eksportit të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ruajti një natyrë konsoliduese dhe impulsi fiskal mbeti në territor negativ.
Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike ka qëndruar në nivele solide, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit paraardhës. Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës sonë të kujdesshme monetare.
Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit.
Tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Këto kushte financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat.
Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të ruajë orientimin e tij drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave nga familjet.
Kjo ecuri sugjeron se kredia bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat po shfaq një orientim të rritur drejt Lekut dhe vijon të ketë tregues të mirë cilësie, sikundër duket nga rënia e vazhdueshme e raportit të kredisë me probleme.
Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të zgjerohet gjatë periudhës në vijim.
Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të konsumit e të investimeve, si dhe të punësimit e të pagave në vend.
Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate. Paralelisht me të, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe të kthehet gradualisht drejt tij gjatë tremujorëve në vijim.
Parashikimi i një niveli inflacioni mbi objektiv në afatin e shkurtër faktorizon pritjet tona për vijimin e efekteve indirekte të goditjes së ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe për një nivel relativisht të lartë të inflacionit të qirave në këtë horizont kohor.
Nga ana tjetër, parashikimi për reduktimin gradual të inflacionit drejt objektivit në afatin e mesëm mbështetet në pritjet tona për një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate, për një rritje të kontrolluar të kostove të prodhimit, si dhe pritjet e ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare.
Gjithashtu, skenari bazë bazohet në supozimin e një normalizimi të shpejtë të presioneve të ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe të ruajtjes së kahut konsolidues të politikës fiskale në vitet në vijim. Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare.
Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv.
Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, si dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit. Këshilli Mbikëqyrës thekson se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve.
Në këtë kontekst, ai vëren se një inflacion mbi objektiv, i zgjatur në kohë ose i shkëputur ndjeshëm prej tij, rrezikon të shndërrohet në presione inflacioniste të qëndrueshme dhe afatgjata. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën.
Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve.
