Afro tri dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë, ndërsa mijëra familje ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre. Hetimet e fundit në Kalludrën e Vogël dhe Jabukë rikthejnë në vëmendje nevojën urgjente për zbardhjen e plotë të krimeve të luftës të kryera nga Serbia dhe fshehjes sistematike të provave.
Në opinionin tonë të fundit, “Kur varrezat masive zbulojnë më shumë se një krim”, argumentojmë se gërmimet në terren, sado të rëndësishme, nuk mjaftojnë për të sjellë drejtësi.
Zbardhja e plotë e së vërtetës kërkon hapjen e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë, në mënyrë që të identifikohet zinxhiri i përgjegjësisë, të zbulohen varreza të tjera masive dhe autorët e krimeve të dalin para drejtësisë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Pa të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë për viktimat, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Opinionin e plotë e gjeni të bashkëngjitur në këtë postim, në gjuhën shqipe dhe angleze.