Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar me grumbullimin e mbeturinave, si pasojë e mosofrimit të rregullt të shërbimeve nga operatorët përgjegjës. Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të mërkurën, dhe do të jetë në fuqi nga sot deri më .
Me vendimin e miratuar, Drejtoria e Shërbimeve Publike obligohet të hartojë planin operacional emergjent dhe të nisë procedurat për marrjen me qira të tre kamionëve me tre vozitës për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në kuadër të KRM “Pastrimi”.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se problemi me menaxhimin e mbeturinave ka muaj që është përkeqësuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, pasi kishte kërkuar më herët të lirohej nga ofrimi i shërbimeve në zonat rurale, ku përgjegjësinë e mori kompania private “Natyra”.
“Por, tash po del që ka probleme për të ofruar këtë shërbim edhe në qytet. Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare.
Për shkak të kësaj gjendjeje, kur kemi edhe fluks të mërgimtarëve dhe rritje të sasisë së mbeturinave, e duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve, kam marrë rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për shpalljen e gjendjes emergjente” , tha Bulliqi, transmeton KosovaPress.
Ai shtoi se vendimi që u mor sot bazohet edhe në raportet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Inspektoratit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, të cilat evidentojnë përkeqësimin e situatës.
Bulliqi deklaroi se Komuna e Podujevës e ka subvencionuar vazhdimisht KRM “Pastrimi” për t’ia lehtësuar funksionimin, por, sipas tij, problemet lidhen me keqmenaxhimin e ndërmarrjes. ““Vullneti jonë është që ta ndihmojmë këtë Ndërmarrje, por po shihet që ka keqmenaxhim nga menaxhmenti i kësaj Ndërmarrjeje në qendër.
Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ne duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejt për mbledhjen e mbeturinave në qytet ”, tha ai. Po ashtu, Drejtoria e Inspektoratit do të intensifikojë kontrollet për parandalimin e deponive të paligjshme, ndërsa Drejtoria për Buxhet dhe Financa është obliguar të sigurojë mjetet e nevojshme për financimin e masave emergjente.
KosovaPress është duke bërë përpjekje të marrë edhe qëndrimin e KRM Pastrimi, për të kuptuar arsyet e kësaj situate me mbeturina në komunën e Podujevës.
