Chelsea vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për situatën e tij financiare. Që nga ardhja e pronarëve të rinj në vitin 2022, klubi londinez e ka regjistruar një deficit prej më shumë se 1 miliard eurosh në tregun e transferimeve, duke investuar shuma marramendëse pa i arritur rezultatet e pritura në fushë.
Sipas analizave financiare, “Blutë” kanë shpenzuar afro 2 miliardë euro për afrime gjatë epokës Todd Boehly, ndërsa bilanci i transferimeve mbetet thellësisht negativ. Pavarësisht këtyre investimeve, skuadra ka fituar vetëm pak trofe dhe ka ndërruar vazhdimisht trajnerë. Raportimet theksojnë se rreziku më i madh për klubin do të ishte një tjetër sezon pa kualifikim në garat evropiane.
Mungesa e të ardhurave nga UEFA do t’i rëndonte ndjeshëm financat e klubit, duke e bërë edhe më të vështirë respektimin e rregullave të qëndrueshmërisë financiare.
Edhe pse Chelsea vazhdon të mbështetet nga pronarët e tij dhe nuk e rrezikon falimentimin e menjëhershëm, ekspertët financiarë paralajmërojnë se modeli aktual i shpenzimeve nuk është i qëndrueshëm nëse rezultatet sportive nuk përmirësohen dhe klubi nuk rikthehet rregullisht në kompeticionet evropiane.
Në katër vitet e fundit, Chelsea është kthyer në simbolin e një politike agresive në tregun e futbollit, por edhe të një periudhe me pak sukses sportiv krahasuar me investimet gjigante të bëra.
