Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar sa i përket krijimit të institucioneve të reja, duke ia lënë përgjegjësinë Lëvizjes Vetëvendosje si shumicë parlamentare.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, Zemaj tha se synimi kryesor mbetet shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi ato, sipas tij, nuk janë në interes të qytetarëve. I pyetur nëse do të ketë takim mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, Zemaj tha se vendi tashmë është në kufijtë e afateve kushtetuese.
“Qëllimi mbetet i njëjtë, shmangia e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk i konvenon qytetarit dhe barra e përgjegjësisë bie mbi Kurtin, si shumicë parlamentare, për krijimin e institucioneve të reja. Nuk besoj se do të ketë takim, pasi nesër është thirrur seanca.
Dita e sotme vetëm kaloi; nuk jemi në urgjencë, por në limitet e afateve kushtetuese që nesër duhet të konstituohet Kuvendi i ri”, tha Zemaj. Bajrami: LDK e do pozitën e presidentit, jo të kryeministrit Ai theksoi se qëndrimet e LDK-së janë publike dhe se, në rast të një bashkëpunimi qeverisës, ndarja e pushteteve duhet të jetë e balancuar. “Qëndrimet e LDK-së janë publike.
Ndarja e pushteteve duhet të jetë e balancuar, nëse dëshirohet një partneritet funksional në interes të Kosovës. Nëse ka qëllime personale apo ambicie për mbajtjen e pozitave shtetërore duke i shërbyer një partie politike, atëherë LDK nuk sheh mundësi tjetër për të kontribuar, përveç votës demokratike që e ka në Kuvend”, u shpreh Zemaj.
I pyetur nëse për LDK-në do të ishte e mjaftueshme pozita e kryetarit të Kuvendit apo nëse synohet edhe posti i presidentit, Zemaj tha se fokusi i partisë nuk është te postet, por te krijimi i një partneriteti funksional. “Kjo temë është ngritur nga LVV-ja në emër të pozitave, por ato duhet të jenë kredibile dhe të sigurojnë partneritet.
Kryetari i Kuvendit i takon shumicës parlamentare, edhe sipas Kushtetutës, edhe si përfaqësim parlamentar. Ndërsa çështjet që lidhen me ekzekutivin dhe sigurinë e kontrollit mbi pushtetin, siç është roli i presidentit, janë mbi nivelin partiak të përfaqësimit”, tha ai.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me liderët e LDK-së dhe PDK-së. Në takimin e dytë, Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por palët nuk arritën marrëveshje për bashkëpunim.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet nesër në orën , ndërsa ende nuk ka një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit pas konstituimit të legjislaturës së 11-të. /kp
