Maroku e kishte paralajmëruar më herët Spanjën se vendimi i Gjykatës Supreme, sipas të cilit emigrantët e ndaluar në det nuk mund të ktheheshin menjëherë në vendin e tyre, do të krijonte probleme. Deklarata është bërë nga një zyrtar maroken, i cili ka folur në kushte anonimati, duke pretenduar se autoritetet spanjolle ishin njoftuar për pasojat e mundshme të këtij vendimi.
Javën e kaluar, rreth 60 mijë persona, shumica prej tyre marokenë, hynë në enklavën spanjolle të Ceutës. Fluksi i paprecedent i emigrantëve bëri që kjo qytezë në Afrikën e Veriut të përballej me mbipopullim, përpara se disa mijëra prej tyre të ktheheshin vullnetarisht në vendlindje.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Spanjës u shpall më 8 korrik, ndërsa Madridi zyrtar fajësoi bandat kriminale për keqpërdorimin e tij për qëllime fitimi. “Ne u angazhuam në bisedime me palën spanjolle mes 22 dhe 23 korrikut, kur rrjetet filluan të flisnin për këtë.
Ne diskutuam impaktin e këtij vendimi, sqaruam se ai do të krijonte probleme dhe në fakt, ai krijoi probleme”, tha zyrtari maroken. Në reagimin e saj, zëdhënësja e qeverisë spanjolle, Elma Saiz, e hodhi poshtë këtë deklaratë. “Në asnjë moment nuk pati asnjë të dhënë që të na paralajmëronte për magnitudën e kësaj ngjarjeje të paprecedent”, deklaroi Saiz.
Megjithatë, zyrtari maroken argumentoi se lëvizja masive e njerëzve drejt Ceutës nuk ishte rezultat i dështimit të aparateve marokene të sigurisë. “Është shumë e thjeshtë të thuash se Maroku duhet të kishte përdorur forcën për t’i ndalur ata. Kjo do të thotë se nuk e kuptojnë fenomenin”, tha ai.
Ai shtoi se Rabati dhe Madridi kishin vepruar si “partnerë të besueshëm” dhe se vazhdonin të punonin në “koordinim perfekt” për çështjet që lidhen me emigracionin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
