Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Duke komentuar mungesën e një marrëveshjeje në takimet e fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Haradinaj tha se verdikti i qytetarëve kërkon ndarje të përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes. “Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur.
Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët” – tha ai për media më . Sipas Haradinajt, deri më tani nuk është ofruar një model i bashkëvendimmarrjes, por vetëm një ftesë që opozita të bëhet pjesë e qeverisë.
“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin.
Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet” – u shpreh ai. Ai shtoi se rezultati zgjedhor duhet të interpretohet si nevojë për ndarje të përgjegjësive institucionale.
“Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve” – tha Haradinaj.
Ai akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës. “Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes.
Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtru opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit.
E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes” – deklaroi ai. Haradinaj theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.
“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet” – tha ai. I pyetur për kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, Haradinaj e vlerësoi punën e tij në krye të partisë dhe të Komunës së Gjakovës.
“Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës edhe shihen zhvillimet në Gjakovë, po u tregua edhe kryetar i suksesshëm i partisë që udhëheq. Ka dëshmuar me rezultate, pra menjëherë kemi ngritje që është një situatë e re” – tha ai.
Sipas Haradinajt, thelbi i çështjes mbetet mënyra se si interpretohet rezultati zgjedhor. “Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut.
Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve”, tha ai. Haradinaj përsëriti se Aleanca nuk synon të hyjë në qeveri vetëm për poste.
I pyetur nëse njëri nga postet kryesore duhet t’i takojë opozitës, Haradinaj sqaroi se nuk e kishte fjalën domosdoshmërisht për postin e presidentit. “Jo, nuk është presidenti. Njëra prej tyre.
Pra në marrëveshje me partinë fituese, mundet partia fituese me të drejtë me kërku kryeministrin, por mundet edhe në çfarëdo rruge dikush nga opozita me u bë kryetar qeverie, sepse ndërtimi i institucioneve nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit, dhe është bashkëvendimmarrja” – tha ai.
Lidhur me mundësinë e votimit të presidentit të ardhshëm, Haradinaj tha se kjo varet nga një marrëveshje politike për ndarjen e vendimmarrjes. “E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave.
Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime” – përfundoi Haradinaj. Nuk ka ende marrëveshje pas takimit të dytë mes kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që u mbajt më .
Palët zhvilluan diskutime për mundësinë e krijimit të institucioneve, por njoftuan se bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa kanë mbetur më pak se dy ditë deri te seanca konstituive, dhe tri ditë nga afati kushtetues për formimin e Kuvendit.
Kurti pas takimit me Abdixhikun tha se kanë nevojë për marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor e nuk e zëvendëson atë. Kurti ka shtuar se takimet me partitë politike nuk duhet të trajtohen si lajm në vetvete. “Nuk mund të themi që lajmet me LDK-në janë lajm në Kosovë. Nuk do duhej të ishin me asnjë parti politike.
Lajm do të duhej të ishte që nuk jam takuar me kryetarin e ri të Aleancës, Ardian Gjini, që njëherësh është kryetar komune”- ka deklaruar Kurti. Duke folur për rolin e presidentit, Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë pozitë si një figurë që duhet të bashkojë qytetarët dhe të jetë jashtë ndikimeve partiake.
“LVV konsideron se presidenti ose presidentja, si figurë që duhet të ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve në kuptimin e vlerave dhe përgatitjes profesionale, nuk do të paraqiste polin e katërt të pushtetit. Do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe të mos ishte i përfshirë në polemikat ditore”- ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për raportet me partitë e tjera, duke thënë se disa mundësi për bashkëpunim ende ekzistojnë. “Kryetari i PDK-së u vetpërjashtua në fillim të takimevee. Do të duhej të takoheshim sërish. Unë jam i gatshëm të takohem me ta. Ka shumë gjëra që mund të pajtohemi. Ka gjëra që nuk pajtohemi por nuk do të thotë që nuk duhet të përpiqemi të pajtohemi”- ka deklaruar Kurti.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
