Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Grabitja”. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet S.M., ndërsa kërkesa për paraburgim i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Rasti dyshohet se ka ndodhur më , rreth orës pas mesnate, në hyrje të banesës së një dyqani në Gjakovë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se i është afruar të dëmtuarit A.M. derisa po hynte në ndërtesën ku banonte dhe i ka kërkuar paratë, ndërsa më pas e ka kërcënuar me thikë.
“Qiti paret”, dyshohet t’i ketë thënë i pandehuri, para se t’ia afronte thikën në pjesën e barkut të dëmtuarit. Nga frika, viktima fillimisht dyshohet se i ka dorëzuar 20 euro, ndërsa pas kërcënimeve të tjera i ka dhënë edhe 30 euro. Sipas kërkesës për paraburgim, i dëmtuari më pas ka tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes, por i pandehuri dyshohet se e ka kapur për qafe.
Viktima ka arritur të lirohet duke e shtyrë të dyshuarin dhe është larguar me vrap. Në këtë moment, sipas Prokurorisë, ka ndërhyrë dëshmitarja E.R., e cila e ka ndaluar të pandehurin. Megjithatë, ai dyshohet se më pas e ka kërcënuar sërish të dëmtuarin. “Ti ke me e pagu shtrenjtë këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon”, citohet të ketë thënë i dyshuari.
I dëmtuari ka arritur të largohet dhe rastin e ka raportuar në Polici, ndërsa i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur. Pas veprimeve operative, zyrtarët policorë kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë atë.
Prokuroria ka bërë të ditur se me këto veprime, S.M. dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 317, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga 3 gushti ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Tashmë, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh. / Telegrafi
