Shtatëmbëdhjetë emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në brigjet e Ishujve Balearikë të Spanjës, pas një udhëtimi 15-ditor në det, sipas autoriteteve spanjolle. Rasti është zbuluar pasi dy persona të mbijetuar janë shpëtuar nga një varkë pranë brigjeve të Majorkës.
Ata, me origjinë nga vende të Afrikës së Veriut, kanë shfaqur shenja kequshqyerjeje dhe dehidratimi dhe janë dërguar në spital, ka njoftuar zyra e qeverisë spanjolle në rajon. Sipas dëshmisë së dy të mbijetuarve, në varkë fillimisht ndodheshin 19 persona.
Autoritetet spanjolle nuk kanë mundur t’i konfirmojnë në mënyrë të pavarur vdekjet, ndërsa një helikopter emergjence është angazhuar për kërkime në zonën pranë vendit ku është kryer shpëtimi. Varka është gjetur rreth 20 kilometra në jugperëndim të ishullit të Majorkës, në Detin Mesdhe.
Në një tjetër rast të ndarë pranë Majorkës, gjatë së martës autoritetet njoftuan se kishin shpëtuar 17 emigrantë të gjallë dhe kishin gjetur dy të vdekur nga një varkë që dyshohet se transportonte rreth 30 persona.
Rritje e migrimit nga Algjeria drejt Balearikëve Rruga nga Algjeria drejt Ishujve Balearikë është bërë korridori migrator me rritjen më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, edhe pse numri i përgjithshëm i të ardhurve në bllok ka rënë, sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i emigrantëve që kanë arritur në Spanjë është ulur me afro 25%, sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Brendshme spanjolle. Frontex ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar trafikantët i kanë zhvendosur operacionet e tyre nga Maroku në Algjeri, për shkak të kontrolleve që konsideroheshin më pak të rrepta, si dhe kanë përdorur varka më të shpejta.
Gjatë vitit të kaluar, Spanja ka punuar për forcimin e bashkëpunimit me Algjerinë në përpjekje për kontrollin e migracionit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
