Gjykata Supreme ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditëses V.Z. ndaj Policisë së Kosovës, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.
Paditësja kishte kërkuar fillimisht shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti nënligjor, konkretisht të nenit 7, paragrafëve 2, 3, 4 dhe 5, të cilët rregullonin procedurën e gradimit të zyrtarëve policorë.
Sipas këtij udhëzimi administrativ, zyrtarët policorë me të paktën 10 vjet përvojë aktive në Policinë e Kosovës mund të aplikonin për fitimin e dy gradave njëherësh, pa qenë të detyruar të përmbushnin periudhën minimale të qëndrimit në gradën paraprake.
Kjo nënkuptonte se policët që nuk kishin ushtruar detyrën e rreshterit mund të konkurronin drejtpërdrejt për gradën e togerit, në të njëjtën procedurë me rreshterët që kishin kaluar fazat e mëparshme të gradimit dhe kishin ushtruar përgjegjësi mbikëqyrëse.
Në këtë rast, edhe pala e interesit V.S. kishte kërkuar shfuqizimin e plotë të udhëzimit administrativ, duke kundërshtuar mënyrën e hartimit të tij.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës kishte kundërshtuar padinë, duke argumentuar se pretendimet e paditëses nuk mbështeteshin në interpretimin e Ligjit për Policinë, në parimet e së drejtës administrative dhe as në dokumentacionin mbi të cilin ishte bazuar nxjerrja e Udhëzimit Administrativ.
Megjithatë, Gjykata Supreme vendosi ta shfuqizojë në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.
