Gërmimet e reja rihapin plagët e vjetra

0%

Shoqata që merren me çështjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë kanë shprehur shqetësimin për mënyrën se si u trajtua zbulimi i dy lokacioneve në veri të Kosovës, në të cilat dyshohet se janë varreza masive të të zhdukurve nga lufta.

Pasditën e 28 korrikut Prokuroria Speciale njoftoi se kanë filluar gërmimet në një lokacion në Zubin Potok, pasi dyshohej për një varrezë masive në fshatin Kalludër. Në të njëjtin njoftim, Prokuroria bëri të ditur se në lidhje me rastin ishin ndaluar edhe dy persona M. J. dhe M. B., si të dyshuar për krime lufte.

“Informacionet e mëtejshme do të bëhen publike vetëm në masën që nuk cenojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.Institucionet mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndonëse Prokuroria apo autoritetet tjera relevante nuk dhanë ndonjë deklaratë zyrtare se kush mund të jenë trupat e varrosur aty, në opinion u përhap një informatë se mund të bëhej fjalë për mbetje mortore të një grupi prej 23 shqiptarëve të njohur si “grupi i intelektualëve” nga Mitrovica të zhdukur në veri të vendit, gjatë vitit 1999.

Deklaratë të tillë bëri edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili nga vendi i ngjarjes me teksa i bënte thirrje Serbisë që të hapte arkivat, përsëriti se mbetjet mund të jenë të “grupit të intelektualëve”.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”- tha Kurti gjatë vizitës.

Përveç Kurtit, lokacionin e vizituan edhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, si dhe minsitrat Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla. “Familjarët janë të mllefosur” Për Latif Mehmetin, kryetar i shoqatës “Përkorë” që merret me çështjen e të zhdukurve që nga viti 2003, një qasje e tillë është e papranueshme.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Mehmeti tha se institucionet në Kosovë janë duke u ngutur me deklarata, duke mos pritur të dalin konkretisht analizat e ADN-së. “Institucionet po nguten, njerëzit po nguten. Sot e lexova që katër trupa janë nxjerr. Dikush ka thënë që janë shtatë. Kjo është keq kështu, nuk duhet me u ngutë. Janë ekspert të kësaj lamie që merren me këtë çështje.

Kujna i takojnë trupat, cilës kohë i takojnë trupat. Bëhet analiza e ADN-së tani komunikohet”– ka thënë Mehmeti. “Kjo është për çdo kritikë, të gjithë shkuan atje duke dhënë deklarata, por realisht trupa ka nëpër Serbi, trupa ka në pjesë të tjera të Kosovës. Nuk më kanë pëlqyer hiq këto deklarata. Ekstrem është politizuar.

Është dashtë vetëm një komunikatë dhe Prokuroria, IML-ja dhe Komisioni me u marr me të. Kjo shkon krejt në dëm të familjarëve, rëndë e përjetojnë familjarët. Është keq për besë, nuk e pranoj kështu”. Edhe Gjyle Haziri nga shoqata “Zëri i Prindërve” ka thënë se çështja nuk është trajtuar ashtu siç duhet.

Shoqata “Zëri i Prindërve” menjëherë pas luftës ka qenë e themeluar nga i ndjeri aktivisti Bajram Qerkini, ndërsa që nga vdekja e tij në shkurt 2025, shoqata udhëhiqet nga Gjyle Haziri. Në një prononcim për KALLXO.com, Haziri ka thënë se familjarët e të zhdukurve janë të mllefosur.

“Unë me familjarë kam takime çdo ditë, edhe në telefon edhe në zyre dhe janë shumë të mllefosur, janë shumë të zhgënjyer se çka po ndodhë. Kjo u bo panikë aq e madhe, pa ditur asgjë me ADN. Tash doli edhe një tjetër varrezë masive. Nuk është dashtë me bo panikë pa ditur asgjë me ADN.

Familjarët janë shumë të mërzitur, duke pritë, janë duke na thirrë në telefon për këtë çështje, edhe janë duke pritë se çka po ndodhë tash”– ka thënë Haziri. Edhe kryerprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kërkoi që të mos bëhen deklarata të ngutshme, pasi sipas tij, mund të deklarimet publike mund të dëmtojnë procesin.

“Identifikimi merr kohë dhe kërkon standard për të marrë dhe për të identifikuar pastaj përmes ADN-së secilin trup. Këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë sepse duhet që paraprakisht të konstruktohet trupi i njeriut, të dërgohen në mjekësi ligjore dhe të vazhdohen me procedura të tjera”- deklaroi ai gjatë vizitës në vendin e ngjarjes me .

Në ndërkohë të dielën me Prokuroria Speciale bëri të ditur se nga veprimet në terren është identifikuar edhe një lokacion i dytë në Zubin Potok, konkretisht në fshatin Jabukë, si lokacion ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria bëri të ditur se gjithashtu ka arrestuar edhe një person tjetër të dyshuar në lidhje me rastin, duke e quar në tre numrin e personave të arrestuar për krime lufte, në lidhje me këtë rast. Gjyle Haziri thotë se lokacioni i dytë i identifikuar në fshatin Jabukë ka qenë befasi për ta, pasi sipas saj, për një të tillë nuk kanë pasur asnjëherë informacion.

Ndërsa për lokacionin e parë në fshatin Kalludër, Haziri ka thënë se informata ka qenë shumë më moti. “Për këtë dytën nuk kemi pas informacion, ky ka qenë e papritur për ne. Por ne jemi të bindur se kanë me u gjetë edhe lokacione të tjera, se ato vende ishin shumë sikur të fshehura, diqysh si shkretina, e ne jemi të bindur se kanë me u zbulu shumë lokacione tjera.

Për këtë lokacionin në Zubin Potok e kemi pritur, tre apo katër herë kemi qenë me Bajram Qerkinin sa ka qenë gjallë, kemi qenë me EULEX-in, me Komisionin Qeveritar. Kanë hulumtuar aty dy-tre herë, jo saktë në atë vend, sepse ka qenë informata se aty diku është, por bash vendin e cekur sikur tash jo”– ka thënë Haziri.

Identifikimi merr shumë kohë Një nga arsyet se pse pati kritika ndaj politikanëve për deklarata të ngutshme, është sepse identifikimi i mbetjeve mortore përmes ADN-së merr kohë të konsiderueshme.

Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, si ish kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, tha se procesi i identifikimit përmes analizës së ADN-së, zgjatë të paktën gjashtë muaj. Edhe ai tha se e kanë telefonuar familjarë duke ia shprehur shqetësimet.

Sipas tij, procedura fillimisht zhvillohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku bëhen ekzaminimet, e më pas mostrat dërgohen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) në Hagë, ku kryhet krahasimi i ADN-së. “Unë zakonisht rezervohem me u deklaru për çështje të tilla se e di se çka ndiejnë dhe se çka përjetojnë familjarët këto ditë.

Jo vetëm që e di, por edhe më kanë kontaktu (familjarët) ato ditë me shqetësime të mëdha, sepse familjarët nuk e dinë dhe nuk e kanë për obligim me ditë që veç procedura e krahasimit me ADN, minimum gjashtë muaj i merr.

Sepse është një procedurë që mas pari duhet me u bartë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me u bo ekzaminimet aty e pastaj dërgohen në Hagë, në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, në laborator të Hagës dhe atje merr goxha një kohë derisa te bën përputhshmërinë ose jo”- tha Hoti për KALLXO.com.

Përderisa më parë këto raste hetoheshin nga UNMIK-u, e më pas EULEX-i, që nga viti 2018 institucionet e Kosovës, si: Policia, Prokuroria Speciale, e Instituti i Mjekësisë Ligjore, janë të kyçur plotësisht në hetimin e krimeve dhe gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.

Procesi nga marrja e informatës për gjetjen e mbetjeve të dyshimta e deri te fillimi i gërmimeve me miratimin e Gjykatës zhvillohet në mënyrë të koordinuar në mes të institucioneve – duke grumbulluar çdo të dhënë dhe duke i ruajtur ato me kujdes.

Në një intervistë të mëhershme për KALLXO.com, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kishte shpjeguar se si shkon procedura për identifikimin e një mbetje mortore. Sipas Halitit, në lokacionin ku janë gjetur mbetjet, IML-ja merr mbetjet e gjetura dhe i dërgon në laborator, për nxjerrjen e profilit të ADN-së të secilës kockë të gjetur.

ADN-ja e nxjerrë nga kockat e gjetura më pas hyn në një tjetër proces, ku bëhet verifikimi me mostrat e gjakut dhe ADN-së, të dhëna nga familjarët e personave të zhdukur.

“Identifikimi, përkatësisht përputhja gjenetike me ADN prej kockës dhe gjakut i nevojiten disa muaj, varësisht prej laboratorit, ndonjëherë mund të shkojë 3 muaj, por ndonjëherë edhe 6 muaj, edhe më shumë, kur kanë probleme teknike në nxjerrjen e profilit të ADN-së.

Mirëpo duhet me ditë mbi të gjitha familjet që përputhja gjenetike përmes ADN-së merr kohë, së paku disa muaj, derisa të bëhet përputhja”– kishte bërë të ditur Haliti. Analiza e ADN-së bëhet në Hagë, në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur. Në fund pasi të bëhet identifikimi i mbetjeve mortore dhe konstatohet identiteti i viktimës njoftohet familja.

Me njoftimin e familjes procesi konsiderohet i përmbyllur dhe viktima e cila konsiderohej e zhdukur nga lufta largohet nga Lista e personave të zhdukur e Komisionit Qeveritar. Aktualisht në Kosovë konsiderohen të zhdukur edhe rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit në Kosovë. Së fundmi, shteti i Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të luftës.

Kjo pasi që Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ka një raport preliminuar për numrin e viktimave të luftës së fundit. Sipas këtij raporti preliminar, janë të paktën 13 mijë e 227 njerëz që janë vrarë, zhdukur me dhunë ose kanë vdekur si pasojë e luftës, nga peridudha deri më .

Publikimi i kësaj liste shënon fazën e parë të databazës institucionale të IKKL-së, e ndërtuar për të dokumentuar me saktësi pasojat njerëzore të luftës dhe për të shërbyer si një burim i besueshëm për institucionet dhe studiuesit.

Burimi: Kallxo