Një aksion i Njësisë së Antidrogës në Prishtinë ka çuar në zbulimin e një arme zjarri dhe dërgimin në burg të një 27-vjeçari, ndaj të cilit ishte në fuqi edhe një urdhër-arrest aktiv. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Shpend A. Osmanin rreth 27 vjeçar. Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 3 gushtit, rreth orës , në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë.
Gjatë një aksioni në terren, Njësia e Antidrogës ka ndaluar të dyshuarin dhe, gjatë kontrollit të çantës që mbante me vete, i është gjetur një pistoletë e tipit “Pietro Beretta”, kalibër 7.65 mm, së bashku me një karikator dhe një fishek të të njëjtit kalibër. Në vendngjarje është kërkuar asistencë policore, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Pas intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjatë verifikimeve, Policia ka konstatuar se Shpend Osmani kishte edhe një urdhër-arrest aktiv, për çka është dërguar në Qendrën e Paraburgimit për vuajtjen e një dënimi me 15 ditë burgim. Hetimet lidhur me armën e sekuestruar janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
