Ish-zyrtari i lartë i CENTCOM-it: Irani po kërkon të blejë kohë

0%

Teksa Uashingtoni peshon presionin ushtarak ndaj diplomacisë, presidenti Donald Trump, ka pezulluar planet për një sulm të madh ndaj Iranit, ndërsa vazhdojnë negociatat për Ngushticën e Hormuzit dhe programin bërthamor të Teheranit. Si Teherani ashtu edhe Uashingtoni thonë se bisedimet po përparojnë, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Për të kuptuar më mirë se si mund ta interpretojë Irani këtë moment – dhe nëse përpjekjet aktuale diplomatike mund të sjellin rezultate afatgjata – Radio Evropa e Lirë foli me zëvendësadmiralin në pension Robert Harward, ish-anëtar i njësisë speciale SEAL të Marinës amerikane, i cili ka shërbyer si zëvendëskomandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Radio Evropa e Lirë: Nga këndvështrimi ushtarak, si e interpreton Teherani këtë vendim? A e shohin atë si durim strategjik dhe një mundësi për negociata? Apo e shohin si një shenjë se presioni mund të shtyhet? Robert Harward: Epo, ky është mendimi im bazuar në historinë time me Iranin, pasi kam jetuar atje dhe duke njohur popullin pers: ata janë shumë strategjikë nga natyra.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Janë lojtarë shahu. Mendojnë afatgjatë. Në raportet e mia personale me ta, kur jetoja atje, dhe më pas në aspektin profesional, ata gjithmonë kanë qenë të gatshëm të blejnë kohë sepse e shohin këtë si diçka në favor të tyre. Mendoj se kjo është ajo që po shohim se po ndodh tani. Sa më gjatë të vazhdojë kjo situatë, aq më shumë ata mendojnë se mund të mbijetojnë.

Ata e dinë se si funksionon sistemi ynë politik. E dinë se si funksionojnë zgjedhjet, sa të ndryshueshëm mund të jemi dhe se si vullneti ynë politik mund të ndikohet nga politika shumë taktike dhe lokale në Shtetet e Bashkuara.

Prandaj mendoj se Qeveria – dhe kur them qeveria, i referohem kryesisht Gardës Revolucionare Islamike [IRGC], sepse besoj se pikërisht aty qëndron thelbi i vendimmarrjes dhe autoritetit, dhe askush nuk është i gatshëm ta sfidojë atë për shkak të rrezikut të vdekjes ose pasojave të tjera – beson se koha është në anën e saj.

A mund ta mbijetojë Trumpin përmes zgjedhjeve të mesmandatit ose gjatë gjithë mandatit të tij? Besoj se ata i shohin këto negociata si të favorshme sepse mendojnë se mund të mbijetojnë mjaftueshëm gjatë për t’i rezistuar presidentit Trump ose vullnetit politik të SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë: Ku është vija ndarëse mes krijimit të hapësirës diplomatike dhe dhënies së kohës për kundërshtarin që ai ta shfrytëzojë për riorganizim? Robert Harward : Në fillim, nuk mendoja se kjo administratë besonte se do të kishte nevojë të bashkonte të gjitha elementet e fuqisë kombëtare.

Tani mendoj se kanë arritur në atë përfundim, sepse negociatat dhe koncesionet nga Irani nuk janë zhvilluar në diçka konkrete. Besoj se tani janë shumë të përqendruar në bashkimin e të gjithë Qeverisë dhe të gjitha elementeve të fuqisë kombëtare – politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Deri në këtë pikë, ata janë mbështetur pothuajse tërësisht te fuqia ushtarake, dhe kjo nuk ka sjellë rezultatet që u nevojiteshin, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e aq më pak trajtimin e programit të armëve bërthamore, që janë qartësisht prioritetet e tyre kryesore. Prandaj tani po vendosin shumë më tepër theksin te ndikimi politik.

Brenda vendit, pamë presidentin që mblodhi kabinetin e tij në Kampin David, duke treguar qartë se ai po shqyrton çdo komponent të Qeverisë amerikane që mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Në arenën ndërkombëtare, siç e patë në Ankara, SHBA-ja bisedoi me vendet arabe dhe të tjera për mënyrën se si ato mund t’i mbështesin këto përpjekje.

Tani po shihni elementë të këtij presioni politik: pjesëmarrjen e Arabisë Saudite në sulme, Libanin që arriti një marrëveshje me Izraelin për çarmatimin e Hezbollahut dhe reduktimin e ndikimit të tij, Hamasin që po lëviz drejt një marrëveshjeje për çarmatim dhe paqes, si dhe koalicione – përfshirë britanikët – që po ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, teksa të tjerë po trajtojnë kërcënimet e rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite dhe Bab al-Mandabit.

Në këtë kuptim, mendoj se po shihni një presion politik shumë më të madh. Presidenti amerikan beson – dhe ky është kundërargumenti ndaj supozimit të Iranit se koha favorizon Teheranin – se nëse ai e ngufatë ekonomikisht Iranin, ai përfundimisht do të detyrohet të përmbushë kërkesat lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe programin e tij të armëve bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Disa analistë ushtarakë argumentojnë se Irani veçse ka treguar aftësinë e tij për të destabilizuar rajonin dhe për këtë arsye ka interes për uljen e tensioneve. Pse Teherani nuk po ecën më me shpejtësi drejt një marrëveshjeje? Robert Harward : Le të jemi specifikë për atë që nënkuptojmë me “Teheranin”. Unë besoj se Qeveria është IRGC-ja.

Mund të ketë figura politike që i kanë të përlyera duart me gjak ose shumë interesa biznesi që të ndahen prej saj. Nëse ajo qeveri heq dorë nga cilido prej këtyre elementeve kryesore, ajo tregon dobësi dhe krijon mundësi më të mëdha për përgjegjësi të brendshme. Ata më pas mund të mbahen përgjegjës nga populli iranian për të gjithë ata që kanë vrarë, ekzekutuar, varur dhe qëlluar në rrugë.

Për ta, ky është një kërcënim ekzistencial. Nëse heqin dorë nga ndonjë prej burimeve të tyre kryesore të pushtetit, ata krijojnë kërcënime afatgjata për mbijetesën e tyre. Në thelb, është çështje jete ose vdekjeje. Ata duhet të shkojnë deri në fund. Nëse fillojnë të heqin dorë nga diçka, ata e dinë se përfundimisht janë të destinuar për të dështuar.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në përvojën tuaj, çfarë keqkuptojnë më shpesh vëzhguesit e jashtëm për mënyrën se si udhëheqja iraniane llogarit rreziqet? Robert Harward: Mendoj se ata anashkalojnë një gjë. Ka mundësi dhe ka keqllogaritje. Mundësia që po humbasim është vetë Irani. Sa nga 95 milionë banorët e këtij vendi duan ndryshim të Qeverisë?

Mendoj se kjo është një llogaritje shumë e gabuar dhe ne nuk e kemi shfrytëzuar këtë mundësi ose nuk jemi përqendruar mjaftueshëm në të. Presidenti [amerikan, Donald Trump] ka folur për këtë, por unë nuk kam parë politika ose programe që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Po ashtu mendoj se njerëzit e kuptojnë se ky është një kërcënim ekzistencial për anëtarët e Qeverisë – IRGC-në dhe udhëheqësit politikë të lidhur me të. Prandaj atyre po u ofrohen mundësi për të arritur një lloj marrëveshjeje. Por në fund të fundit, një marrëveshje vetëm lejon që ky kërcënim të vazhdojë për dekada.

Siç kanë bërë gjithmonë, ata rindërtojnë shpejt aftësitë e tyre dhe gjejnë mënyra për të shmangur çdo marrëveshje. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 [JCPOA] është shembulli perfekt. Sipas JCPOA-së, ata ranë dakord për udhëzimet, i respektuan ato dhe morën dhjetëra miliarda dollarë.

Por, jashtë këtyre udhëzimeve, ata vazhduan të ndërtonin sistemet e nevojshme për t’u bërë një shtet me armë bërthamore. Edhe kur inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore ishin të pranishëm dhe ata dukej se ishin transparentë, ata përsëri fshehën aktivitete.

Ata zgjeruan kapacitetin e pasurimit të uraniumit, zhvilluan centrifuga më të avancuara dhe u pozicionuan në mënyrë që të mund ta kthenin uraniumin e pasuruar në 60 për qind në material të shkallës për prodhim të armëve bërthamore – 95 për qind – brenda disa javësh. Në të njëjtën kohë, asnjë nga këto nuk trajtoi programet e tyre të raketave dhe dronëve.

Këto aftësi u rritën në mënyrë eksponenciale, deri në pikën ku ata kishin raketa balistike të afta për të goditur Evropën, siç u demonstrua nga raketa e lëshuar drejt Diego Garcias.

Mësimi – dhe aty ku mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë Iranin – është besimi se çdo marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit ose programin bërthamor do ta eliminojë kërcënimin afatgjatë që Irani paraqet për partnerët e tij rajonalë dhe më gjerë. Radio Evropa e Lirë: Ju jeni rritur në Iran, flisni persisht dhe vazhdoni të keni kontakte me njerëz të lidhur me vendin.

Çfarë po ju thonë sot iranianët e zakonshëm? Çfarë duan që bota të kuptojë? Robert Harward : Ata janë optimistë, por po ashtu janë shumë këmbëngulës që kjo administratë të vazhdojë rrugën drejt ndryshimit të Qeverisë në Iran.

Njerëzit me të cilët po flas – dhe besoj se janë iranianë të zakonshëm, megjithëse disa janë arsimuar në SHBA dhe ende jetojnë atje – nuk dua të vë asnjërin prej tyre në rrezik duke zbuluar se kush janë. Të gjithë ata besojnë se vendi është penguar nga ky ekezekutiv.

Burimet e jashtëzakonshme të këtij shteti të pasur janë keqpërdorur në vend që të përdoren për mirëqenien e popullit iranian. Ata shohin vende si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite dhe shohin liri, prosperitet dhe mundësi që nuk i kanë, sepse Qeveria në Iran ua ka mohuar ato.

Ata po luten dhe shpresojnë që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë dhe ta çojë deri në fund, drejt një qeverie që është më e përqendruar në zhvillimin e Iranit dhe mirëqenien e popullit të tij sesa në eksportimin e Revolucionit Islamik, si brenda Iranit ashtu edhe përtej tij. Kjo është ajo që po dëgjoj nga të gjithë miqtë e mi iranianë.

Ata po luten që ne të vazhdojmë drejt këtij qëllimi përfundimtar. / REL

Burimi: Bota Sot