Shpërndaje në: Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka diskutuar të hënën lidhur me projektligjin për Pronën Publike, që parasheh që komunat të mos jenë pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese apo administruese të saj.
Në një njoftim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, thuhet se të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave që ishin të pranishëm në takim mbështetën unanimisht kërkesat e AKK-së dhe kundërshtuan çdo përpjekje për t’ua marrë komunave pronësinë dhe për të përqendruar atë në nivelin qendror.
“Kjo qasje cenon autonominë lokale, bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe e godet drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të komunave. Mesazhi është i prerë, prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një Projektligji centralizues”, thuhet nga AKK-ja. E AKK-ja ka dal nga mbledhja me disa kërkesa.
Është kërkuar që komunat të njihen shprehimisht si pronare të pronës së komunës, është kërkuar që të hiqet përcaktimi se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike. Në kërkesat thuhet edhe se Kuvendet komunale duhet ta ruajnë të drejtën e vendimmarrjes për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale.
Po ashtu është kërkuar që prona e blerë, ndërtuar apo krijuar me mjete komunale të regjistrohet në emër të komunës, e është kërkuar që regjistri unik qendror të ketë vetëm karakter koordinues dhe të mos e zëvendësojë regjistrin komunal. Ndër kërkesat është edhe që të hyrat nga pronat komunale t’u takojnë komunave. AKK-ja me këto kërkesa do t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë.
