Mykhailo Mudryk do të pritet me krahë hapur kur t’i bashkohet sërish Chelseat këtë javë në Hong Kong, ka thënë trajneri Xabi Alonso, por ukrainasi nuk do të nxitohet pas fitimit të apelit kundër pezullimit për doping. Anësori ukrainas ishte pezulluar për 4 vite pasi dështoi në një test dopingu në vitin 2024, ku u zbulua prania e meldoniumit në përqendrim të ulët.
Të premten ai u lejua të rikthehet në fushë, pasi Federata Angleze dhe Agjencia Botërore Anti-Doping zgjidhën apelin e tij. “Jemi të lumtur, sidomos për të, sepse nuk mund ta kuptojmë se çfarë ka kaluar gjatë kësaj kohe. Duam që ai të ndihet pjesë e ekipit, sepse nuk e ka pasur këtë për shumë kohë ,” – tha Alonso në Sydney.
Mudryk do t’i bashkohet Chelseat për fazën e dytë të para-sezonit në Hong Kong, ku blutë luajnë ndaj Juventusit të mërkurën, pas humbjes 2-1 ndaj Tottenhamit në Sydney. Trajneri spanjoll paralajmëroi se rikthimi do të jetë gradual. 25-vjeçari, i blerë nga Shakhtar Donetsk për 62 milionë funte në vitin 2023, nuk ka luajtur që nga nëntori i vitit 2024. “Do të dojë kohë.
Stërvitej vetëm çdo ditë, e kjo duhet të ketë qenë shumë e vështirë,” – shtoi Alonso. Edhe Roberto De Zerbi, trajneri i Tottenhamit që e ka drejtuar Mudrykun te Shakhtari, u shpreh i lumtur: “Është si djali im, një djalë i mirë, lojtar i madh.”
Mudryk e kishte dërguar apelin në CAS, ndërsa ndryshimet në procedurat e WADA-s bënë që me rregullat e reja, për të njëjtin rezultat testi, sot nuk do të ngriheshin akuza.
