Një dron ukrainas u rrëzua mbi një plazh të mbushur me pushues në rajonin e Krasnodarit, në jug të Rusisë, mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar vdekjen e katër personave, mes tyre edhe një fëmijë. Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi pranë qytetit të Gelendzhikut.
Guvernatori i rajonit, Veniamin Kondratyev, deklaroi se viktimat humbën jetën nga mbeturinat e dronit që ranë në plazh dhe jo si pasojë e një goditjeje të drejtpërdrejtë. Si pasojë e incidentit, u plagosën edhe 13 persona, përfshirë dy të mitur. Tre prej tyre u transportuan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa të tjerët morën ndihmën e parë në vendngjarje.
Pas ngjarjes, Kondratyev urdhëroi mobilizimin e një ekipi të specializuar mjekësor për reagim ndaj katastrofave, ndërsa autoritetet ruse njoftuan se do të ofrojnë mbështetje fizike dhe psikologjike për të plagosurit dhe familjarët e viktimave. Sipas mediave ruse, plazhi ku ndodhi incidenti ndodhet rreth 20 kilometra larg rezidencës verore (dacha) të presidentit rus, Vladimir Putin.
