Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë, por ajo shpesh rikthehet përmes modeleve të ngjashme politike. Pikërisht për këtë arsye, çdo debat mbi hapjen e një konsullate duhet të shoqërohet me njohjen e përvojave historike dhe jo vetëm me argumente diplomatike të momentit.
Rasti i Konsullatës së Mbretërisë së Serbisë në Prishtinë gjatë viteve 1889–1912 përbën një shembull të rëndësishëm historik për të kuptuar se si institucionet konsullore, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, shpesh kryenin funksione shumë më të gjera sesa mbrojtja e qytetarëve ose zhvillimi i marrëdhënieve tregtare.
Në realitetin e Ballkanit të asaj kohe, ato ishin pjesë e konkurrencës strategjike ndërmjet shteteve për zgjerim territorial dhe ndikim politik.
Në këtë kontekst, Konsullata serbe në Prishtinë ishte një instrument i politikës shtetërore të Beogradit për forcimin e ndikimit të tij në Vilajetin e Kosovës, duke kombinuar diplomacinë, propagandën, mbledhjen e informacionit dhe mbështetjen për rrjete politike e fetare që i shërbenin objektivave kombëtare serbe.
Konsullatat si instrumente të politikës së jashtme në Perandorinë Osmane Në fund të shekullit XIX, Perandoria Osmane po përballej me dobësim të vazhdueshëm. Fuqitë evropiane dhe shtetet ballkanike shfrytëzuan këtë gjendje për të zgjeruar ndikimin e tyre. Në këtë garë, konsullatat nuk ishin institucione neutrale.
Ato shërbenin si qendra të diplomacisë, inteligjencës, propagandës kulturore, financimit të rrjeteve lokale dhe përgatitjes së terrenit për ndryshime politike. Kjo ishte praktikë jo vetëm e Serbisë, por edhe e Austro-Hungarisë, Rusisë, Bullgarisë dhe Greqisë.
Megjithatë, dokumentet diplomatike serbe tregojnë se Prishtina kishte rëndësi të veçantë strategjike për projektet kombëtare të Mbretërisë së Serbisë. Objektivat politike të Beogradit Pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878, politika shtetërore serbe kishte si synim zgjerimin drejt jugut.
Programet politike të kohës, përfshirë ndikimin e ideve të Ilija Garašaninit, e konsideronin Kosovën pjesë të interesit kombëtar serb.
Në këtë kuadër, Konsullata serbe në Prishtinë kishte disa funksione kryesore: mbledhjen sistematike të të dhënave politike, ushtarake dhe ekonomike; krijimin e rrjeteve të besueshme informative; financimin e veprimtarive kulturore e fetare; mbështetjen e shkollave dhe institucioneve kishtare serbe; raportimin e vazhdueshëm ndaj Ministrisë së Jashtme në Beograd.
Raportet konsullore të ruajtura në arkivat serbe përbëjnë sot burime të rëndësishme historike për studimin e kësaj periudhe. Veprimtaria propagandistike dhe subversive Literatura historike tregon se konsullata nuk kufizohej verën në funksione diplomatike e protokollare!
Nëpërmjet rrjeteve lokale ndërtohej ndikim politik, përhapeshin narrativa kombëtare dhe krijoheshin lidhje (të dyshimta) me personalitete fetare e administrative vendore. Një pjesë e madhe e aktivitetit zhvillohej në mënyrë “diskrete” dhe jotransparente.
Konsujt serbë i raportonin Mbretërisë së Serbisë rregullisht mbi: lëvizjet shqiptare; organizimin e elitës lokale; gjendjen e administratës osmane; raportet ndërmjet komuniteteve; mundësitë për zgjerimin e ndikimit serb. Në terminologjinë bashkëkohore, shumë prej këtyre aktiviteteve do të klasifikoheshin si inteligjencë diplomatike ose veprimtari zbulimore.
Përplasja me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Në fund të shekullit XIX po forcohej Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Prizreni, Prishtina, Peja, Gjakova dhe qytetet e tjera po bëheshin qendra të organizimit politik shqiptar. Kjo binte ndesh me objektivat strategjike të Mbretërisë së Serbisë.
Për këtë arsye, raportet konsullore shpesh paraqesin shqiptarët si faktor pengues për realizimin e politikës serbe. Në shumë raste rekomandohej forcimi i ndikimit politik, kulturor dhe fetar serb për të ndryshuar raportet e forcës në terren. Nga diplomacia drejt luftërave ballkanike Periudha 1889–1912 nuk mund të ndahet nga zhvillimet që çuan në Luftën e Parë Ballkanike.
Informacioni i mbledhur për vite me radhë nga rrjetet konsullore kishte rëndësi për hartimin e politikave shtetërore. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912, një pjesë e konsiderueshme e objektivave politike të ndjekura më parë në mënyrë diplomatike u realizuan me mjete ushtarake dhe luftë të përgjakshme e masakra ndaj shqiptarëve.
Kjo e bën veprimtarinë e konsullatës pjesë të historisë së konkurrencës strategjike dhe jo vetëm të historisë diplomatike. Çfarë mësimi sjell kjo për debatin e sotëm? Debati për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër nuk mund të zhvillohet pa njohuri të mirëfillëta për historinë e marëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve në trevat e ish Jugosllavisë.
Sepse, historia mëson se institucionet diplomatike kanë pasur, në periudha të caktuara, role që kanë tejkaluar funksionet konsullore klasike dhe shpeshëherë kanë zhvilluar veprimtari propagandistike dezinformuese, madje edhe terroriste, duke i armatosur serbët dhe malazezët në Kosovë për luftë kundër shqiptarëve.
Prandaj, transparenca, reciprociteti dhe kontrolli institucional janë elemente të domosdoshme në çdo marrëdhënie diplomatike.
Po aq legjitime është edhe kërkesa që, krahas çdo zgjerimi të pranisë konsullore serbe në Shqipëri edhe përfaqësimi konsullor i Shqipërisë në zonat ku jeton komuniteti shqiptar në Serbi, përfshirë Bujanocin, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet reciproke ndërmjet shteteve. Përfundim Historia nuk duhet përdorur për të prodhuar armiqësi të reja, por as nuk duhet harruar!
Përvoja e Konsullatës së Mbretërisë së Serbisë në Prishtinë tregon se diplomacia në Ballkan shpesh ka qenë e ndërthurur me objektiva strategjikë, propagandistike, politiko – zbulimore, subversive, madje edhe terroriste. Njohja e kësaj historie ndihmon që debatet e sotme të zhvillohen mbi bazën e fakteve, transparencës dhe interesit kombëtar e publik.
Një shoqëri e zhvilluar demokratike nuk do kishte arsye t’i frikësohet diplomacisë së ligjshme, por ka detyrimin të mësojë nga përvojat historike dhe të kërkojë që çdo marrëdhënie ndërmjet shteteve të ndërtohet mbi reciprocitet, respekt të sovranitetit dhe besim të ndërsjellë, që realisht ka munguar gjithmonë dhe mungon edhe sot në raportet Serbi-Shqipëri dhe në përgjithësi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Ballkan.
Prandaj, duhet menduar e analizur me kujdes se “a ia vlen barra qiranë” që të hapet Konsullata e Serbisë në Shkodër, në këmbim dhe reciprocitet të hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc. Preshevë,
