BDI nëpërmes një kumtese ka akuzuar VLEN-in se në çdo premtim që u dha qytetarëve shqiptarë, veproi në drejtimin e kundërt. “VLEN-i gjatë zgjedhjeve premtoi se edhe po t’i mungonte vetëm një votë për fitore, nuk do të bëhej pjesë e qeverisë. Madje premtoi se do të tërhiqej nga politika! Sot dihet se ndodhi pikërisht e kundërta.
Si humbës zgjedhor, VLEN-i hyri në qeveri dhe pothuaj se në çdo premtim që u dha qytetarëve shqiptarë, veproi në drejtimin e kundërt. Nga premtimet për dinjitet e përfaqësim, përfundoi duke u shndërruar në një instrument të plotë të VMRO-DPMNE-së dhe të politikave që favorizojnë ndikimin e të të ashtuquajturës “botë serbe”.
Për dy vite me radhë, Raporti i Parlamentit Evropian evidenton shqetësimin për rritjen e ndikimit të “botës serbe” në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe apostrofon qartë promovimin e këtyre politikave nga përfaqësues të pushtetit. Këto nuk janë më vlerësime të opozitës, por konstatime të institucioneve më të rëndësishme evropiane.
Prandaj, askush nuk mund t’i relativizojë apo t’i shpërfillë këto sinjale alarmi. Faktet flasin vetë. Nga roli dhe ndikimi politik i Ivan Stoilkoviqit brenda qeverisë, deri te deklaratat e tij publike se ka “shpëtuar” përfaqësuesit e VLEN-it nga turpi politik; nga afrimi me strukturat politike të Milorad Dodikut, deri te kontratat në sektorin energjetik me kompani të lidhura me interesat e tij; nga zgjerimi i pranisë së kapitalit bankar serb në vend e deri te një sërë vendimesh institucionale që kanë krijuar hapësirë për forcimin e këtij ndikimi – të gjitha këto përbëjnë një mozaik që nuk mund të mohohet.
Nuk është aspak rastësi që paralelisht me këtë ndikim po vazhdon edhe gërryerja sistematike e Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik. Në këtë proces, VLEN-i nuk është spektator.
Ai është kamuflues, relativizues dhe bashkërealizues i politikave që cenojnë të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe frymën mbi të cilën është ndërtuar shteti pas vitit 2001.
Prandaj, ata që sot apostrofohen edhe nga institucionet evropiane si promotorë ose lehtësues të ndikimit të “botës serbe”, nuk mund ta shmangin përgjegjësinë duke u fshehur pas shpifjeve, propagandës dhe sulmeve ndaj opozitës. E vërteta nuk mbulohet me zhurmë politike. Qytetarët shqiptarë i shohin qartë këto zhvillime.
Ata e dinë kush premtoi një gjë dhe bëri të kundërtën, kush premtoi dinjitet dhe solli nënshtrim, kush premtoi mbrojtje të interesit kombëtar dhe u bë mburojë e politikave që e dëmtojnë atë. Për këtë mashtrim politik dhe moral, verdiktin do ta japin qytetarët”, thonë nga BDI.
