26 persona janë lënduar në 52 aksidentet e trafikut që kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në komunat e Ferizajt, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Shtimes, siguria e të cilave është nën ombrellën e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë Rajonale të Ferizajt i ka paraqitur të hënën () të dhënat e mbledhura nga terreni prej 27 korrikut deri më 2 gusht. “Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 52 aksidente, nga të cilat: 18 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 26 persona (dhe) 34 aksidente me dëme materiale”, thuhet në komunikatën për media.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut”, shtohet në komunikatën e Policisë Rajonale të Ferizajt, duke u kërkuar njëherësh qytetarëve që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje trafiku.
