Dy persona janë proceduar penalisht pasi në një aheng familjar në fshatin Gllamnik të Podujevës dyshohet se është përdorur armë zjarri, ndërsa në vendin e ngjarjes Policia ka sekuestruar armë dhe municion.
Sinjali mëson se të dyshuarit janë Elhami Abdullahu rreth 42 vjeçar dhe Ismet Abdullahu rreth 51 vjeçar Sipas burimeve, më 2 gusht, rreth orës , Policia ka pranuar informacione operative për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në fshatin Gllamnik.
Pas mbërritjes së njësive policore në vendin e ngjarjes, Ismet Abdullahu ka pranuar se kishte shtënë tri herë me një pistoletë me gaz, të cilën më pas e ka dorëzuar vullnetarisht. Në vendngjarje janë gjetur edhe tri gëzhoja, që dyshohet se i përkasin armës së përdorur.
Ndërkohë, Elhami Abdullahu ka deklaruar se posedonte një armë zjarri me pesë fishekë, të cilën gjithashtu e ka dorëzuar vullnetarisht. Ai ka pohuar para hetuesve se nuk kishte shtënë me atë armë. Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas përfundimit të procedurave, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma, municioni dhe provat e tjera materiale janë sekuestruar. Hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
