Një kontroll rutinë i Policisë në Gjakovë ka çuar në zbulimin e një arme zjarri me municion, duke bërë që një 46-vjeçar të arrestohet nën dyshimin për armëmbajtje pa autorizim. Sinjali mëson se i dyshuari është Genc Fetahi rreth 46 vjeçar.
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, rreth orës , në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, ku patrulla policore kishte ngritur një pikë kontrolli. Gjatë kontrollit është ndaluar një veturë Audi me ngjyrë të bardhë, të cilën e drejtonte Genc Fetahi.
Burimet bëjnë të ditur se, pasi u pyet nga zyrtarët policorë nëse posedonte ndonjë mjet të kundërligjshëm, i dyshuari bashkëpunoi me Policinë dhe u tregoi një çantë që e mbante në trup. Brenda saj u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë e tipit “CD Shadow”, dy karikatorë dhe 23 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Sipas raportit policor, karikatorët nuk ishin të vendosur në armë në momentin e kontrollit. I dyshuari u arrestua dhe u shoqërua në Stacionin Policor në Gjakovë, ku u intervistua lidhur me rastin. Me konsultim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Genc Fetahit është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Hetimet për rastin janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
