Kryetari i Komunës së Dragashit Bexhet Xheladini, ka njoftuar se së bashku me pjesëtarë të kabinetit ka marrë pjesë në manifestimet e organizuara në kuadër të Ditëve të Mërgatës, të mbajtura pranë Liqenit të Breznes.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje u zhvilluan aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe argëtuese, ndërsa Xheladini ka mbajtur edhe fjalim me rastin e hapjes së programit artistik.
Në fjalimin e tij, Xheladini ka vlerësuar kontributin e mërgatës shqiptare ndër vite, duke theksuar rolin e saj në mbështetjen e familjeve në Kosovë, arsimit në gjuhën shqipe dhe institucioneve paralele gjatë viteve të okupimit.
Ai ka përmendur gjithashtu angazhimin e diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lobimin në mbështetje të Kosovës, duke vlerësuar edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e vendit. “Prandaj, sot, para jush, shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për mërgatën shqiptare, e cila nuk e braktisi kurrë atdheun”, ka deklaruar Xheladini.
Ai ka thënë se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë, arsim, kulturë, sport dhe shërbime publike, duke e konsideruar mërgatën si pjesë të rëndësishme të zhvillimit të komunës. “Dera e Komunës së Dragashit do të jetë gjithmonë e hapur për ju. Idetë, përvoja, investimet dhe energjia juaj janë pasuri e çmuar për vendin tonë”, ka thënë Xheladini.
Në fund, kryetari i Dragashit ka uruar bashkatdhetarët për Ditët e Mërgatës dhe ka falënderuar organizatorët për punën dhe përkushtimin e tyre.
