Numri i të vdekurve nga kalimi masiv i emigrantëve nga Maroku në enklavën spanjolle, Ceuta javën e kaluar ka shkuar të paktën në 72 të dielën, ndërsa pesë trupa të tjerë u gjetën përgjatë bregdetit të Afrikës së Veriut, kanë thënë zyrtarët, raporton Reuters . Numri i viktimave ishte dukshëm më i lartë se ai që u dha nga autoritetet marokene të dielën.
Më shumë se 50 mijë persona kaluan në Ceuta nga toka dhe deti në një mësymje të paparë që nisi të enjten në një nga dy kufijtë e vetëm tokësorë të Bashkimit Europian me Afrikën, duke shkaktuar alarm në krejt bllokun. Më shumë se 48 mijë persona u kthyen në Marok brenda 48 orëve dhe shumë të tjerë në fundjavë, kanë thënë autoritetet spanjolle.
Përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Ceuta, Miguel Angel Perez, u ka deklaruar gazetarëve se, përveç 72 viktimave, më shumë se një mijë persona janë trajtuar nga shërbimet shëndetësore. Situata në enklavë është përmirësuar ndjeshëm, ka thënë ai, por ende udhët të bëhet shumë më shumë për ta kthyer normalitetin.
Disa emigrantë u mbytën dhe të tjerë u shtypën ndërsa përpiqeshin të ngjiteshin në një valëpritës dhe gardh kufitar. Shumë prej tyre ishin shtyrë të migronin nga vështirësitë ekonomike dhe ishin inkurajuar nga thashethemet në mediat sociale.
Ministria e Brendshme e Marokut ka njoftuar në një deklaratë të dielën se 11 persona kishin vdekur, kryesisht nga mbytja gjatë përpjekjes për ta kaluar në territorin spanjoll, duke vënë në dukje se po verifikonte faktet e raporteve mbi vdekjet nga ana tjetër e kufirit.
Për kalimin masiv, Ministria ka fajësuar keqinformimin nga mediat sociale, rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe keqinterpretimin e një vendimi spanjoll që ndalon kthimin e menjëhershëm të migrantëve të kapur në det. Kjo deklaratë është e ngjashme me komentet e Ministrisë së Jashtme spanjolle për këtë çështje. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
