Policia e Pejes ka zhvilluar disa aksione gjatë fundjavës në rajonin e Pejës, Klinës dhe Deçanit, ku ka sekuestruar armë zjarri, municion dhe ka arrestuar disa persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve në ahengje familjare. Sipas njoftimit të Policisë, më 31 korrik, rreth orës , Stacioni Policor në Pejë ka pranuar informacion për të shtëna me armë në një aheng.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator. I dyshuari është arrestuar, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Një rast tjetër është regjistruar në orët e para të 2 gushtit, kur policia ndaloi një automjet në një pikë kontrolli në Pejë.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari u gjetën një armë e kalibrit 9 mm, një karikator dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.65 mm. Edhe në këtë rast, i dyshuari u arrestua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt. Në Klinë, më 1 gusht rreth orës , policia ndërhyri pas raportimeve për të shtëna me armë në një aheng në fshatin Rudicë.
Gjatë kontrollit u sekuestruan një armë automatike AK-47 me karikator, një pistoletë 9 mm me karikator, një pistoletë TT të kalibrit 7.62 mm me karikator, gjashtë fishekë 9 mm dhe dymbëdhjetë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. I dyshuari u arrestua dhe u lirua më pas në procedurë të rregullt. Po më 1 gusht, në fshatin Isniq të Deçanit, policia u njoftua për të shtëna me armë në një aheng.
I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë. Gjatë kontrollit iu sekuestruan një armë CZP e kalibrit 9 mm, një karikator dhe pesë gëzhoja. Ndërkaq, më 2 gusht, në një pikë kontrolli në Isniq të Deçanit, policia ndaloi një automjet ku gjatë kontrollit gjeti një armë 9 mm, një karikator, 50 fishekë dhe një mjet të mprehtë (brisk).
Edhe në këtë rast, i dyshuari u arrestua dhe, pas intervistimit, u lirua në procedurë të rregullt me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
