Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar me një mesazh të gjatë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar turneun një sukses të jashtëzakonshëm dhe duke iu kundërpërgjigjur kritikëve të organizatës. Infantino tha se kritikët, të përqendruar te urrejtja dhe polemikat, nuk arritën ta përjetonin atmosferën, emocionet dhe frymën e bashkimit që solli turneu.
“Për të gjithë ata që janë konsumuar nga urrejtja dhe kritikat, deri në atë pikë sa e kanë humbur bukurinë e lojës sonë, më vjen keq që nuk mundën t’i përjetonin emocionet, festimet, lotët, gëzimin dhe shpirtin e bashkimit që solli ky Botëror”, shkroi ai.
Kreu i FIFA-s kritikoi ashpër edhe mediat dhe personat që, sipas tij, përhapën informacione të rreme, ndërsa organizata punonte për realizimin e turneut. “Ju, të fshehur pas stilolapsave, letrave dhe ekraneve, përhapni urrejtje dhe thashetheme të rreme.
Ndërsa ju rrinit mënjanë, ne në FIFA ishim në vijën e parë, duke organizuar, duke punuar pa pushim dhe duke e ofruar spektaklin më të madh në botë”, deklaroi Infantino. Ai theksoi se turneu kaloi pa incidente të dhunshme dhe se futbolli dëshmoi edhe një herë fuqinë e tij për t’i bashkuar njerëzit.
Infantino u shpreh krenar për organizimin, duke thënë se Kupa e Botës “festoi më të mirën e njerëzimit”, ndërsa FIFA-n e cilësoi si “furnizuesen zyrtare të lumturisë për njerëzimin”. Në fund, ai u bëri thirrje kritikëve të ndalen, të reflektojnë dhe ta shikojnë një ndeshje futbolli, duke shtuar se ky sport mund të sjellë dashuri, paqe dhe unitet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
