Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se mbledhjet e këtij organi do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pas pranimit të një opinioni ligjor nga Departamenti Ligjor i ministrisë përgjegjëse lidhur me kërkesat për pjesëmarrjen e mediave dhe shoqërisë civile në takimet e Bordit.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, vendimi është marrë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe me qëllim të respektimit të procedurave ligjore që rregullojnë funksionimin e Bordit Drejtues. “Mbledhjet e Bordit Drejtues të SHSKUK-së zhvillohen me dyer të mbyllura” , thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
Bordi ka theksuar se gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tij do të vazhdojë të zbatojë parimet e ligjshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së interesit publik. SHSKUK ka bërë të ditur se për çështjet e trajtuara në mbledhjet e Bordit, opinioni publik do të informohet rregullisht përmes kanaleve zyrtare të institucionit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Në njoftim, Bordi Drejtues ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për bashkëpunim me mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara, duke respektuar kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e tij.
