Në një paraqitje publike në vitin 2020, Daçiq kishte sulmuar serbët që bashkëpunonin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur shqiptarë, duke deklaruar: “Lërini ju amerikanët, gjermanët, turqit dhe të gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë ne me serbët?
Me ata që u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin lloj-lloj marrëzish dhe u tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi.” Deklarata po rikthehet në fokus në kohën kur autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se në lokacionet e Zubin Potokut, Kalludrës dhe Jabukës janë identifikuar varreza masive, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Daçiq me këto fjalë sulmoi ata që ndihmojnë në zbulimin e vendeve ku janë fshehur trupat e viktimave shqiptare, ndërsa zbulimet e fundit kanë rikthyer debatin mbi përgjegjësinë e institucioneve serbe për fshehjen e varrezave masive dhe nevojën për bashkëpunim në zbardhjen e së vërtetës.
Në Kosovë vazhdon të kërkohet që Serbia të hapë arkivat dhe të ofrojë informacion për vendndodhjen e të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, ndërsa zbulimi i çdo lokacioni të ri konsiderohet një hap drejt zbardhjes së fatit të viktimave dhe vënies së drejtësisë.
