Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj nderimit të njësive ushtarake serbe, duke e cilësuar atë si institucionalizim të mohimit të krimeve të luftës dhe mbrojtje të pandëshkueshmërisë.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se përderisa Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat shtetërore dhe të fshehë provat për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nderimi i njësive ushtarake serbe nuk mund të konsiderohet përkujtim. “Është institucionalizim i mohimit dhe mbrojtje e pandëshkueshmërisë” , thuhet në reagim.
Sipas OVL-UÇK-së, e vërteta për krimet e luftës nuk mund të fshihet përmes medaljeve, nderimeve shtetërore apo rrëfimeve të rishkruara. Organizata kërkon hapjen e arkivave ushtarake dhe policore të Beogradit, si dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke e cilësuar këtë si një detyrim të domosdoshëm.
OVL-UÇK thekson se Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe llogaridhënien për krimet e luftës, pa kompromis.
