Stuhia e fuqishme që përfshiu Shkupin ka shkaktuar dëme në disa komuna të qytetit. Erërat e forta kanë lënë pas dëme të mëdha matriale, duke rrëzuar pemë, dëmtuar çati të shtëpive dhe shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Në Komunën e Studeniçanit, pasojat janë vërejtur kryesisht në bujqësi, ku dëme kanë pësuar serrat dhe kultura të ndryshme bujqësore, ndërsa janë evidentuar edhe raste të dëmtimeve në disa shtëpi, veçanërisht në çatitë e tyre.
“Për fat të mirë, stuhia e cila ndodhi nuk ka shkaktuar ndonjë dëm të madh në Komunën e Studeniçanit, përveç disa rasteve të cilat kanë kontaktuar shërbimet komunale dhe i kanë paraqitur dëmet. Ka dëme edhe në kulturat bujqësore, por edhe në shtëpi, siç janë çatitë.
Disa dëme janë shkaktuar nëpër shtëpi, por më së shumti dëme janë bërë në kulturat bujqësore, sidomos në serrat që i kanë bujqit. Ka dëme edhe në këtë aspekt, por edhe në objekte banimi”, deklaroi kryetari i komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi. Komuna e Studeniçanit ka nisur procedurën për evidentimin e dëmeve në terren.
Për shkak të kapaciteteve të kufizuara financiare, komuna nuk mund të mbulojë të gjitha dëmet, por do të shqyrtojë mundësitë që ka nga buxheti komunal për të ndihmuar qytetarët e prekur. Pjesa tjetër e kërkesave pritet t’u drejtohet institucioneve qendrore dhe ministrive përkatëse. Komisione të ngjashme në komuna të tjera janë paraparë për evidentimin dhe raportimin e dëmeve pas stuhisë.
“Ne si komunë kemi formuar një komision, i cili do të dalë në terren dhe do t’i konstatojë me procesverbal të gjitha dëmet e shkaktuara. Më pas, ato do t’ua përcjellim ministrive përkatëse. Në bazë të buxhetit që kemi, ende jemi në fazën e shqyrtimit për të parë cilat janë mundësitë nga buxheti komunal për t’i dëmshpërblyer qytetarët.
Kjo do të varet edhe nga kërkesat e paraqitura dhe niveli i dëmeve të shkaktuara. Pjesën më të madhe të kërkesave do ta drejtojmë te ministritë përkatëse”, u shpreh Abazi. Pas përfundimit të vlerësimit në terren, pritet të krijohet një pasqyrë më e qartë për dëmet e shkaktuara dhe nevojat për ndihmë.
Autoritetet lokale do të përcjellin raportet tek institucionet kompetente, ndërsa qytetarët presin mbështetje për tejkalimin e pasojave të stuhisë.
