Shpërndaje në: “Komunat nuk kanë kapacitete financiare që të ndërmarrin masa shumë të rëndësishme sa u përket ndryshimeve klimatike”, ka thënë kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi Ilirjana Thaqi Pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit në disa pjesë të vendit, komunat e Kosovës insistojnë në themelimin e një fondi emergjent nga Qeveria, pasi sipas udhëheqësve të tyre, buxhetet komunale nuk e kanë kapacitetin financiar për të përballuar dëmet nga fatkeqësitë natyrore.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se niveli lokal ka mundësi të kufizuara financiare dhe se Qeveria duhet të angazhohet më shumë në këtë drejtim. “Komunat nga aspekti financiar janë jashtëzakonisht keq.
Domethënë, kanë dhjetëra miliona euro që u merren komunave padrejtësisht dhe komunat nuk kanë kapacitete financiare që të ndërmarrin masa shumë të rëndësishme sa i përket ndryshimeve klimatike”, ka thënë Ibrahimi. “Nga aspekti financiar, komunat janë jashtëzakonisht të limituara që të bëjnë diçka të madhe sa u përket paralajmërimeve për stuhi”.
Po ashtu, sipas Ibrahimit, ka qytetarë e fermerë që nuk janë kompensuar as për dëmet e vitit 2022. Formimin e një fondi emergjent e ka shtruar si nevojë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. “Komunat është e domosdoshme që të kenë një fond emergjent, pra të drejtën për të menaxhuar rastet kur ka fatkeqësi elementare natyrore.
Unë i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ka ardhur koha, tashmë është momenti i fundit kur duhet t’i kompensojmë dëmet e shkaktuara në komunat e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Latifi.
Edhe Arbëri 22 kor 2026 Kosova pa fond për kompensim të dëmeve në të mbjella Formimin e fondit e pret edhe Mitrovica e Jugut, komunë që udhëhiqet nga partia e cila është edhe në pushtetin qendror – Vetëvendosje.
Zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Shkëlzen Haliti ka thënë se një fond i tillë është i nevojshëm për komunën ngase në raste të emergjencave procedurat mund të zvarriten për shkak të procedurave ligjore, të cilat marrin kohë për pagesa e procedura të tjera.
“Ndërsa një fond i tillë i siguruar do të na lehtësonte neve punën shumë për intervenim më të shpejtë, më efikas edhe, si me thënë, t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve në kohë reale”, ka thënë ai. Për kërkesën e komunave, KOHA i ka nisur pyetje Qeverisë, por të dielën nuk ka marrë përgjigje.
Kërkesa për një fond të tillë nuk është e re, por është riaktualizuar pas dëmeve të mëdha që shkaktuan vërshimet e stuhitë në disa komuna, sidomos në ato të Rrafshit të Dukagjinit.
