Greqia është një nga disa vendet evropiane që po përballen me zjarre shkatërruese, të favorizuara nga valët e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve të shiut.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se vendi po përballet me “kushte ekstreme të motit”, ndërsa paralajmëroi se ditët në vijim do të jenë “jashtëzakonisht të vështira” për shkak të zjarreve të shumta që vijojnë të përfshijnë vendin. Sipas tij, erërat kanë arritur shpejtësinë deri në 100 kilometra në orë, çka e bën të pamundur operimin e sigurt të mjeteve ajrore.
“Ka momente kur natyra dhe intensiteti i fenomeneve të motit tejkalojnë çdo planifikim njerëzor dhe çdo aftësi operacionale”, shkroi Mitsotakis në një postim në Facebook. Që nga mesi i korrikut, zjarret kanë përfshirë edhe Francën, Spanjën dhe Portugalinë, duke detyruar qindra mijëra banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Autoritetet në Madrid kanë deklaruar se zjarret e këtij viti janë më të rëndat që rajoni ka përjetuar ndonjëherë. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, më shumë se 200 mijë hektarë tokë janë djegur në të gjithë Spanjën gjatë vitit 2026, rreth pesë herë më shumë se mesatarja për të njëjtën periudhë të vitit.
Ndërkohë, një zjarr i madh në rajonin Gironde të Francës u cilësua javën e kaluar nga presidenti Emmanuel Macron si “krejtësisht i paprecedentë”. Edhe Mbretëria e Bashkuar është përballur me vatra të shumta zjarri.
