Nga: Jeton Neziraj Shpërndaje në: Katër vjet pas, gjurmët e asaj travestie artistike që Kosovës i kushtoi rreth 5 milionë euro mund të gjenden vetëm online, në uebsajte gazetash e portalesh apo në biografitë e artistëve pjesëmarrës. 5 milionë euro është çmimi i naivitetit shtetëror që është i kapur nga sentimenti me të cilin abuzohet krejt këta vjet për “vizibilitetin ndërkombëtar” e për “diplomacinë kulturore”, si mekanizma që do të gjenerojnë njohje shtetërore Në korrik të vitit 2022, qe hapur në Prishtinë edicioni i 14-të i “Manifestës”, Bienales Nomade Evropiane, i brenduar si “Manifesta 14 Prishtina”.
Katër vjet pas, gjurmët e “Manifestës” në Prishtinë janë tërësisht inekzistente. Edhe ajo pak ngjyrë që pati ngelur për ca kohë rrugëve të Prishtinës, e me të cilën qenë shënjuar drejtimet e lokacioneve kryesore të ngjarjeve, është gërryer e humbur.
Ky epilog zhgënjyes është pamja më brutale e asaj propagandës irrituese të drejtuesve të “Manifestës”, të cilët, kur erdhën, hapën defterët dhe shpalosën për mediat e publikun një vizion gati sureal për zhvillimin e skenës kulturore vendore, me dhjetra projekte ambicioze që thanë se do të realizoheshin gjatë bienales, e që disa edhe do t’i ngelnin Prishtinës, përgjithmonë.
Njerëzit e “Manifestës” kishin përgjigje dhe plan aksioni për çdo defekt të politikave kulturore në Kosovë, kishin vizion e strategji se si duhej riparuar gjërat në staza afatgjata, kishin përgjigje kuptimplota për çdo brengë me të cilën po preokupohej skena kulturore.
Formulimet gjuhësore e “tag”-at e tyre ishin të përpunuara e të zgjedhura me kujdes, dhe ato reflektonin nevojat, pritjet dhe aspiratat e komunitetit artistik.
“Manifesta” fliste për “kthimin dhe zotërimin e hapësirave publike”, “mbështetjen për qytetarët e Kosovës”, i referoheshin “së ardhmës (së ndritur) së Kosovës”, flisnin për “diplomacinë kulturore”, “promovimin ndërkombëtar”, “shkrimin e të ardhmes së qytetit” apo për bërjen e Prishtinës “një metropol mendjehapur në Ballkan”. A s’janë këto ëndrrat e secilës skenë kulturore të një shoqërie?
Zelli i tyre për premtime kaq zemërgjera natyrisht lidhej me ato rreth 5 milionë euro që i kërkonin (e edhe i morën) nga Qeveria e Kosovës dhe nga Komuna e Prishtinës. Kjo ishte një barrë tepër e madhe financiare për një vend të vogël e të varfër si Kosova, ishte një zhvatje e përsosur për një ofertë artistike tremujore jo edhe aq impresive.
“Tulltorja”, një ish-fabrikë e dikurshme, tani e braktisur dhe e lënë si gërmadhë, qe thënë se do të transformohej në hapësirë bashkëkohore artistike, në shërbim të komunitetit, me atele, galeri e hapësira të ndryshme artistike. Aty u bënë disa pastrime të thjeshta, u derdh ca ngjyrë në mure e dysheme, u shkruan ca grafite dhe me kaq mori fund intervenimi i tyre në këtë objekt.
U promovua edhe ai që quhej si “korridori i gjelbër i Prishtinës”, një pasazh i braktisur ku dikur ka kaluar treni. “Manifesta” aty mbolli ca drunjë e ca bar, artistët shkruan ca grafite, u bënë një ose dy ndeja. Kaq. Bari u tha shpejt, drunjtë po ashtu. Shëmtia u kthye në pamjen e saj origjinale disa javë pas, madje akoma para përfundimit zyrtar të “Manifestës”.
Strategjia e “Manifestës” ishte ‘premto shumë, realizo pak’, por që duket sikur është shumë, ngjyros asfaltin, derdh ca ngjyrë e shkruaj ca grafite, mbill ca drunj dhe vendos aty këtu ndonjë bankë parku, angazhoj në panele e punëtori të gjithë artistët dhe gazetarët vendor me ndikim, dhe sill sa më shumë gazetarë të huaj.
E, gazetarët e huaj që vinin, si në pelegrinazh religjioz, raportonin me entuziazëm me tituj të tipit “Kosova, vatra e krizës së dikurshme” tani “po lulëzon nga arti”.
Katër vjet pas, gjurmët e asaj travestie artistike që Kosovës i kushtoi rreth 5 milionë euro mund të gjenden vetëm online, në uebsajte gazetash e portalesh apo në biografitë e artistëve pjesëmarrës. 5 milionë euro është çmimi i naivitetit shtetëror që është i kapur nga sentimenti me të cilin abuzohet krejt këta vjet, për “vizibilitetin ndërkombëtar” e për “diplomacinë kulturore”, si mekanizma që do të gjenerojnë njohje shtetërore.
