Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Numri i bizneseve të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie gjatë muajit qershor, krahasuar me muajin maj të këtij viti, por edhe me qershorin e vitit të kaluar. Janë regjistruar 1.092 biznese dhe asnjë prej tyre nuk është i mesëm ose i madh.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ky trend nuk është sinjal i mirë dhe kërkojnë politika që nxisin investimet në prodhimtari dhe krijimin e ndërmarrjeve të mëdha 1.4 për qind më pak ndërmarrje u regjistruan në qershor të këtij viti krahasuar me muajin paraprak dhe 5.1 për qind më pak krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar.
Sipas ekspertëve, kjo rënie e numrit bizneseve nuk është sinjal i mirë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor u regjistruan 1.092 biznese, ndërsa u shuan 107 apo 30 me tepër se gjatë një muaji më parë.
Nga numri i bizneseve të regjistruara në qershor, 1.088 janë të kategorisë mikro, që i bie se nuk kanë më shumë se 9 të punësuar, derisa katër janë të kategorisë të vogla me 10 deri në 49 të punësuar. Ndërmarrje të mesme apo të mëdha nuk pati.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në Kosovë dominojnë bizneset e vogla dhe të mesme, gjë që, sipas tij, duhet të shoqërohet me një orientim më të madh të investimeve drejt prodhimtarisë. “…, te investimet dominon patundshmëria. Janë diaspora jonë, zakonisht, që janë të orientuar në patundshmëri.
Në qoftë se i shohim totalin e investimeve që i kemi pasur të huaja, afër 1 miliard euro, 75 deri në 80 për qind e tyre ka shkuar në patundshmëri. Duhet me ndryshuar këtë trend, duhet me u orientuar investimet në prodhimtari”, tha Rafuna. E profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, vlerëson se pa biznese të mëdha vështirë të pritet zhvillim ekonomik e punësim i madh.
“Ekonomia e Kosovës po shkon drejt konsumit dhe drejt importit, por jo drejt prodhimit dhe eksportit. Në çfarë drejtimi po do me shku ekonomia e Kosovës? Parametri kryesor makroekonomik për një ekonomi në zhvillim është punësimi. Nëse rritet punësimi, atëherë ulet papunësia dhe rritet mirëqenia socio-ekonomike e qytetarëve.
Kjo reflekton në ngritjen e standardit të jetesës për ata persona që kanë qenë të aftë për punë, por nuk kanë qenë të punësuar”, tha Misini.
Edhe Ekonomi 2 kor 2026 BQK parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike e përshpejtim inflacioni Misini po ashtu tha se bizneset në Kosovë duhet të jenë më të fokusuara drejt prodhimit, pasi, sipas tij, në vend dominojnë bizneset që merren me tregti dhe shërbime.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë qershorit ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 242 ndërmarrje të regjistruara (22.2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 124 ndërmarrje të regjistruara (11.4%); ndërtimtaria me 121 ndërmarrje të regjistruara (11.1%); si dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 114 ndërmarrje të regjistruara (10.4%).
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Ekonomia Online të dielën, ka thënë se, megjithëse deficiti tregtar i Kosovës mbetet i lartë, ministria është duke ndërmarrë masa për forcimin e prodhimit vendor, rritjen e eksporteve dhe zëvendësimin e importeve.
