Agon Demiri debutoi me ekipin e parë në moshën 16 vjeç e 6 ditë!

0%

Dita e djeshme, 1 gushti, do të mbetet gjatë në kujtesën e talentit Agon Demiri, i cili bëri debutimin e tij me fanellën e ekipit të parë të Struga Trim Lum në ndeshjen miqësore kundër Ohër Lihnidos, e cila përfundoi me fitoren 3:1 të struganëve. Talenti i ri i Struga TL debutoi në moshën vetëm 16 vjeç e 6 ditë.

Adoleshenca është një nga periudhat më delikate të jetës dhe nuk është e lehtë të nxirret më e mira nga futbollistët e kësaj moshe, pasi shumica nuk janë ende të gatshëm për sfidat që i presin. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet për Agon Demirin, djaloshin 16-vjeçar, i cili dje kundër GFK Ohër Lihnidos bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Struga Trim Lum.

Demiri hyri në lojë gjatë pjesës së dytë dhe u bë një nga futbollistët më të rinj që ka debutuar në historinë e klubit që nga themelimi i tij. Me vetëm 16 vjeç e 6 ditë, ai do të vazhdojë të stërvitet me ekipin e parë, me kërkesë të trajnerit Bledi Shkëmbi, i cili te Demiri sheh një talent të rrallë që duhet shfrytëzuar në të ardhmen.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas informacioneve tona, pak ka munguar që Demiri të bëhej edhe rekordmen i futbollit maqedonas, duke thyer rekordin e Dashmir Elezit, i cili në Ligën e Parë të Maqedonisë debutoi në moshën 16 vjeç e 1 ditë. Demiri mbushi 16 vjeç të dielën, më 26 korrik, ndërsa Struga TL ndeshjen e javës së parë kundër Shkëndijës së Haraçinës e zhvilloi një ditë më herët, më 25 korrik.

Për këtë arsye, Agoni nuk kishte të drejtë paraqitjeje, pasi ende nuk i kishte mbushur 16 vjet. Pasi e mori vesh këtë, trajneri Bledi Shkëmbi kishte kërkuar nga drejtuesit e klubit që ndeshja të shtyhej për një ditë, me qëllim që Demiri të debutonte pikërisht në ditën kur mbushte 16 vjeç dhe të vendoste një rekord të ri në futbollin maqedonas. Megjithatë, kjo nuk ishte më e mundur.

Jozyrtarisht, strategu i Struga Trim Lum është jashtëzakonisht i impresionuar me cilësitë e Agon Demirit dhe, përveçse i ka dhënë mundësinë të stërvitet me ekipin e parë, i ka premtuar se shumë shpejt do t’i japë minuta edhe në ndeshjet e Ligës së Parë të Maqedonisë.

Burimi: Bota Sot