Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë gjatë një aksioni antidrogë në Mitrovicën e Veriut, pasi te njëri u gjet marihuanë, ndërsa tjetri posedonte një grinder me mbetje të substancës së dyshuar narkotike. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Eron Jasharin rreth 19-vjeçar dhe Arbër Ukën rreth 22 vjeçar .
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës , në rrugën “Qeshme Lluga”, afër lokalitetit të njohur si Shkëmbi i Dudës, gjatë zbatimit të planit operativ “Vera 2026”. Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me njësitë policore, ka ndaluar një veturë Golf, në të cilën ndodheshin dy të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, te Eron Jashari është gjetur dhe sekuestruar 0.78 gram marihuanë, ndërsa te Arbër Uka policia ka gjetur një grinder me mbetje të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të intervistohen dhe më pas të lirohen në procedurë të rregullt.
Substanca e dyshuar narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga DHTN në Mitrovicën e Veriut. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
