Një mosmarrëveshje mes fqinjëve në Prishtinë ka eskaluar në dhunë fizike, pasi një qytetar pretendon se u sulmua nga disa persona vetëm pse kishte njoftuar Policinë. Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur pasditen e 1 gushtit, rreth orës , në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Sipas burimeve, Policia kishte marrë informacion për një rrahje në zhvillim dhe, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka hasur disa persona të përfshirë në incident. Ankuesi, C. Gj. rreth 57-vjeçar, ka deklaruar para policisë se ishte sulmuar nga disa persona pasi kishte njoftuar Policinë, ndërsa situata kishte eskaluar deri në dhunë fizike.
Ai pretendon se është goditur në kokë dhe në fytyrë, duke pësuar lëndime trupore, për të cilat ka marrë trajtim mjekësor. Në lidhje me rastin janë shoqëruar në Stacionin Policor Faton Azemi rreth 40-vjeçar , Luan Zeqiri rreth 46-vjeçar dhe Zenel Azemi rreth 67-vjeçar , ndërsa janë intervistuar edhe disa dëshmitarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Pas intervistimit të palëve dhe mbledhjes së provave fillestare, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dy nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
