Një aheng familjar në Podujevë përfundoi me ndërhyrjen e Policisë, pasi raportimet për të shtëna me armë çuan në arrestimin e një 67-vjeçari, i cili pranoi se kishte shtënë në ajër për të festuar martesën e nipit të tij. Sinjali mëson se i dyshuari është Sabri Osmani .
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës , në fshatin Majac të Podujevës, ku Policia mori informacione operative për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, i dyshuari është paraqitur para zyrtarëve policorë dhe ka pranuar se kishte shtënë në ajër me një pushkë automatike AK-47 dhe një pistoletë me gaz, duke deklaruar se po festonte martesën e nipit të tij. Ai i ka dorëzuar vullnetarisht Policisë pushkën automatike me një karikator dhe pistoletën me gaz, po ashtu me një karikator.
Me pëlqimin e pronarit është kryer bastisje në lokacion, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të pushkës automatike dhe katër gëzhoja të pistoletës me gaz, të cilat janë marrë si prova materiale. I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa Sabri Osmani është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
