Boksieri i pamposhtur shqiptar, Nelson Hysa, ka bërë të ditur se është në pritje të kontratës finale për një përballje të mundshme me Tyson Furyn, ndërsa britaniku duket se është pranë zyrtarizimit të një tjetër meçi para sfidës së madhe me Anthony Joshuan.
Fury, 37 vjeç, tashmë ka arritur marrëveshje për t’u përballur me Anthony Joshuan më vonë gjatë këtij viti, megjithëse ende nuk janë bërë publike data dhe vendi ku do të zhvillohet superdueli. Për shkak të periudhës së gjatë prej 16 muajsh pa luftuar para rikthimit ndaj Makhmudovit, Fury dëshiron edhe një përballje tjetër përpara se të ngjitet në ring me Joshuan.
Sipas raportimeve, një nga kandidatët për të qenë kundërshtari i tij është pikërisht Nelson Hysa. Boksieri shqiptar, 41 vjeç, ka një bilanc perfekt në boksin profesionist me 24 fitore në po aq ndeshje, prej të cilave 22 kanë ardhur me nokaut. Në një intervistë për talkSPORT, Hysa konfirmoi se kontaktet mes dy kampeve tashmë kanë nisur dhe se ai pret vetëm finalizimin e marrëveshjes.
“Ky është një lajm i mirë që po dëgjoj. E di që ekipi im ka folur me ekipin e Tysonit. Është kënaqësi të ndaj ringun me Tyson Furyn – unë jam duke pritur kontratën finale”. “E di që ekipet po negociojnë gjithçka – datën, vendin… gjithçka. Të gjithë tifozët e mi, të gjithë shqiptarët, po presin dhe më pyesin se kur do të zhvillohet ndeshja”, deklaroi Hysa.
Nëse marrëveshja finalizohet, Nelson Hysa do të ketë mundësinë më të madhe të karrierës së tij, duke u përballur me një nga emrat më të mëdhenj në historinë e boksit modern. Megjithatë, Hysa është plotësisht i sigurt se do ta nokautojë Furyn dhe t’ia prishë përballjen me Joshuan, i cili javë më parë e mposhti Kristian Prengën. “Nuk besoj, do ta bëj (ta nokautoj).
Ju premtoj shqiptarëve se do t’iu bëj krenar dhe të gjithë njerëzve që po na ndjekin, besojmë se do të zhvillojmë një meç të mirë”.
