Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve që po zhvillohen në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, duke kritikuar projektin e Komunës për riorganizimin e kësaj rruge.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Mustafa ka kritikuar qeverisjen lokale se pse po ngushtohet kjo rrugë, të cilën e ka cilësuar si një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun.
Sipas tij, rruga ishte zgjeruar në 12 metra gjatë kohës sa kryetar i Prishtinës ishte Nazmi Mustafa, ndërsa tani vendimi për ngushtimin e saj është arbitrar dhe nuk respekton interesat e banorëve, bizneseve të vogla dhe qytetarëve.
“Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe kundërshtojnë, sepse besoj që është vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës. Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët”- ka shkruar Mustafa.
Ai ka shtuar se ka jetuar në atë lagje për më shumë se 60 vjet, ndërsa ka kritikuar udhëheqjen e kryetrait aktual të kryqytetit, Përparim Rama. “Këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”- ka shkruar Mustafa tutje.
Punimet në rrugën “Ilir Konushevci” janë kundërshtuar edhe nga një pjesë e banorëve dhe pronarëve të bizneseve gjatë kësaj rruge. Gjatë javës që po lëmë pas, ata kanë ndaluar në disa raste punimet që po zhvilloheshin në këtë segment rrugor. Banorët po kundërshtojnë këtë projekt të Komunës së Prishtinës, duke pretenduar se rruga po ngushtohet nga katër në tri korsi.
Sipas tyre, ndryshimet e planifikuara do t’ua pamundësojnë qasjen me automjete në bizneset dhe shtëpitë e tyre, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Për sqarimin e kësaj situate, KALLXO.com ka tentuar disa herë që të marr përgjigje nga komuna dhe drejtoria kompetente, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.
