Mustafa kritikon Ramën: Eksperimentuesit pas tre vjetësh i mbledhin

0%

Shpërndaje në: Ish-kryetari i Prishtinës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar vendimin për ngushtimin e rrugës “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë, duke e cilësuar atë një eksperiment në dëm të qytetarëve.

Ai ka thënë se ata që po bëjnë këto eksperimente, duke aluduar në kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, “edhe tre vjet i mbledhin plaçkat për Londër e qytetarët mbesin të bllokuar”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mustafa ka thënë se rruga “Ilir Konushevci” është një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun, duke kujtuar se ajo ishte zgjeruar në 12 metra gjatë kohës kur Nazmi Mustafa drejtonte kryeqytetin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, banorët kanë të drejtë të kundërshtojnë këtë projekt, pasi nuk respekton interesat e tyre dhe të bizneseve që veprojnë në atë zonë. “Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe ta kundërshtojnë, sepse besoj që është një vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës.

Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët”, u shpreh Mustafa. Ai shtoi se ka jetuar në atë lagje për më shumë se 60 vjet dhe akuzoi drejtuesit aktualë të Komunës së Prishtinës se nuk do të përballen me pasojat e vendimeve që po marrin.

“Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”, ka shkruar Mustafa.

Burimi: Koha