Shpërndaje në: Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 20 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.
Ai ka theksuar se me gjithë dallimet e dukshme përbrenda LDK-së, ajo tash gjendet përballë ofertës nga partia e parë fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për bashkëpunim.
Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive. “Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar.
Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, thekson Haziri.
Ai shton se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara mes Kurtit, kryetarit Lumir Abdixhikut dhe ish-presidentes Vjosa Osmani më 10 korrik, LVV-ja është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme. Sipas tij, tani i takon LVV-së, që në bisedimet e ardhshme, të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.
Haziri thotë se në rast se arrihet pajtimi, uniteti i Grupit parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.
Edhe Arbëri 17 kor 2026 Konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja nuk do të ndodhë brenda muajit korrik “Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, thekson Haziri.
Ai shprehu besimin në pjekurinë politike të Grupit Parlamentar të LDK-së, për një unitet rreth vendimeve të kreut të partisë.
