Ekskluzive | Gëzimi del jashtë kontrollit në Tërnavë të Podujevës –

0%

Atmosfera festive në një dasmë në fshatin Tërnavë të Podujevës u shndërrua në rast policor, pasi dhëndri dyshohet se vendosi ta shënojë ditën e martesës duke shtënë me kallashnikov. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Enis Vllahiu, rreth 21-vjeçar, i cili, sipas burimeve, ka pranuar se ka shkrepur me një pushkë automatike AK-47 gjatë ahengut familjar.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut, rreth orës , pasi Policia pranoi informacione operative për të shtëna me armë zjarri në lagjen e Vllahive, në fshatin Tërnavë.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, Enis Vllahiu është paraqitur vetë para zyrtarëve policorë dhe ka pranuar se kishte shtënë me armën automatike, duke deklaruar se këtë e kishte bërë për të festuar martesën e tij. Më pas, ai ua ka dorëzuar vullnetarisht policëve AK-47, së bashku me një karikator pa fishekë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në vendngjarje është paraqitur edhe Beqir Vllahija, rreth 61-vjeçar, i cili ka deklaruar se posedonte një pistoletë me gaz, por se nuk kishte shtënë me të. Sipas tij, arma ishte në gjendje jofunksionale për shkak të bllokimit të karikatorit. Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas përfundimit të procedurave, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com