Ka marrë zhvillim rasti që tronditi Rahovecin pas gjetjes së disa eshtrave në një fushë të hapur, pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka konfirmuar se mbetjet skeletore janë me origjinë njerëzore.
Sinjali mëson se ekspertët e IML-së, së bashku me hetuesit policorë dhe ekipet tjera relevante, kanë dalë sërish në vendin e quajtur “Rimnik i Tarës”, ku disa ditë më parë një qytetar kishte gjetur mbetje mortore.
Gjatë ekzaminimit dhe gërmimeve të kryera në vendngjarje, është konstatuar se bëhet fjalë për eshtra njerëzore, megjithatë, sipas vlerësimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ato janë shumë të vjetra.
Burimet bëjnë të ditur se, për shkak të vjetërsisë së mbetjeve dhe konfiguracionit të terrenit ku janë gjetur, rasti nuk hyn në kompetencën e Institutit të Mjekësisë Ligjore për trajtim të mëtejmë.
IML pritet të përpilojë një raport profesional lidhur me gjendjen dhe vjetërsinë e mbetjeve mortore, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga Stacioni Policor në Rahovec, nën kompetencën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar origjinën dhe rrethanat në të cilat këto mbetje kanë përfunduar në atë lokacion.
Zbulim i pazakontë në Rahovec – qytetari gjen eshtra dhe dhëmbë që dyshohet se janë mbetje mortore të njeriut Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
