Njerëzit nuk janë aq të pafuqishëm ndaj demencës sa mendohet

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një vaksinë e njohur mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga demenca, ndërsa ekspertët thonë se ka gjithnjë e më shumë prova se një pjesë e madhe e rasteve mund të parandalohen ose të shtyhen për më vonë, ka shkruar VOX. Aktualisht nga demenca në Amerikë vuajnë 6-7 milionë persona mbi moshën 65 vjeçe dhe studiuesit parashikojnë që numri i rasteve të vazhdojë të rritet me plakjen e popullsisë. Megjithatë, ka edhe lajme inkurajuese. Studime të shumta kanë treguar se rreziku për t’u prekur nga demenca në moshë të shtyrë është më i ulët sot sesa ishte disa dekada më parë. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, uljen e duhanpirjes, kontrollin më të mirë të tensionit dhe nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak, si dhe me rritjen e nivelit të arsimit. Një nga zbulimet më interesante të viteve të fundit lidhet me vaksinën kundër herpes zosterit, sëmundja e njohur si “zona”. Një studim i kryer në Uells ka zbuluar se personat e vaksinuar kishin rreth 20 për qind më pak gjasa të zhvillonin demencë gjatë shtatë vjetëve pas vaksinimit krahasuar me ata që nuk e kishin marrë vaksinën. Studime të tjera të realizuara në Kanada dhe vende të tjera kanë gjetur rezultate të ngjashme, duke sugjeruar se vaksina mund të ketë një efekt mbrojtës ndaj trurit. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse mbrojtja vjen nga parandalimi i infeksionit apo nga stimulimi i sistemit imunitar. Për këtë arsye, nevojiten më shumë kërkime. Çka mund të bëni për të ulur rrezikun? Sipas një raporti të vitit 2024 të revistës mjekësore “The Lancet”, deri në 45 për qind e rasteve të demencës mund të parandalohen ose të shtyhen duke vepruar mbi faktorët e rrezikut. Ekspertët rekomandojnë: të mos pini duhan, të mbani nën kontroll kolesterolin dhe tensionin e gjakut, të trajtoni humbjen e dëgjimit, të shmangni obezitetin, të qëndroni fizikisht aktivë, të kujdeseni për shëndetin e zemrës. Studiuesit theksojnë se mosha e mesme e jetës është periudha më e rëndësishme për të ndërmarrë këto masa parandaluese. Edhe pse numri i rasteve të demencës pritet të rritet në vitet e ardhshme, ekspertët thonë se sëmundja nuk është domosdoshmërisht një pasojë e pashmangshme e plakjes.

Burimi: Koha