Shpërndaje në: Oda e Avokatëve e Kosovës ka dënuar sulmin me mjet shpërthyes ndaj shtëpisë së avokatit Betim Kadolli, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë kriminal dhe sulm ndaj vetë sistemit të drejtësisë. Në reagimin e saj, Oda ka theksuar se nuk ekziston asnjë motiv që mund të justifikojë terrorizimin e një familjeje në mes të natës, duke vlerësuar se shpërthimi që ka tronditur familjen e avokatit përbën shprehje të ligësisë dhe përbuzjes ndaj rendit juridik. Sipas Odës së Avokatëve, çdo përpjekje për të frikësuar një avokat përmes dhunës është një sulm jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj të drejtës kushtetuese të qytetarëve për mbrojtje ligjore. “Çdo sulm ndaj një avokati, për shkak të profesionit që ushtron, është më shumë sesa sulm ndaj një individi. Është sulm ndaj të drejtës për mbrojtje, ndaj një profesioni të lirë e të pavarur dhe ndaj vetë drejtësisë”, thuhet në reagim. Oda u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që rastin ta trajtojnë me prioritet të lartë, duke kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, si dhe të çdo personi që mund të ketë nxitur, organizuar apo mbështetur sulmin. Po ashtu, ajo ka shprehur solidaritet me avokatin Betim Kadolli dhe familjen e tij, duke theksuar se përgjigjja e institucioneve ndaj këtij rasti do të jetë provë e funksionimit të shtetit të së drejtës. “Në këto momente, heshtja nuk është maturi, heshtja është dorëzim”, ka përfunduar reagimi i Odës së Avokatëve të Kosovës. E Policia ka konfirmuar se mjeti i hedhur në shtëpinë e Kadollit dyshohet të jetë granatë dore. Nga shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale.
Oda e Avokatëve dënon sulmin me mjet shpërthyes ndaj Betim Kadollit, kërkon zbardhjen e rastit

Burimi:
Koha